Se si do të bëhet riorganizimi i administratës dhe optimizimi i institucioneve, shteti nuk din akoma. Ministri Shoqërisë Informatike dhe Administratës Admirim Aliti thotë se projekti mbështetet nga BE-ja dhe nuk ka implikime financiare mbi buxhetin e shtetit kurse mënyra e zbatimit të tij do të varet nga vlerësimet e ekspertëve por edhe nga vendimet dhe vullneti politik.
“Megjithatë patjetër duhet ta pranoj se ka mendime të ndryshme edhe nga kolegë në qeveri se si duhet të bëhet riorganizimi. Ne si ministri nuk themi se i kemi të gjitha përgjigjet magjike megjithatë ne në princip në të gjitha përgjigjet tona jemi bazuar në atë që e kanë thënë ekspertët. Është e rëndësishme që procesi të ecë dhe të mos të ndalet, në mënyrë që t’i optimizojmë institucionet, të jenë më lehtë të menaxhueshme, komunikimi të jetë më i mirë kurse ato detajet e tjera se nën kë do të jetë agjencia ose ndonjë institucion tjetër, janë me rëndësi dytësore”, tha Admirim Aliti, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Aliti, me rastin e prezantimit të buxhetit të vitit të ardhshëm të sektorit që drejton, u pyet dhe për balancuesin. Ai tha se përfundimisht, gjatë punësimit në administratën publike, si bazë merren të dhënat nga numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente dhe jorezidente nga regjistrimi i fundit.
“Sipas kornizës aktuale që e kemi me ligjin për përfaqësim të drejtë etnik edhe me ligjin për regjistrimin e popullsisë duhet në data bazë të jetë të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht, edhe rezidentë edhe jorezidentë. Ashtu ka qenë edhe në të kaluarën, ashtu e kemi lënë dhe tani dhe ashtu duhet dhe të vazhdojë”, u shpreh Admirim Aliti, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Buxheti i Ministrisë për Shoqëri Informatike dhe Administratë për vitin e ardhshëm është mbi 1 miliardë e 500 milionë denarë. Ai do të shpërndahet në tre shtylla kryesore; dixhitalizim, administratë dhe media.
/Alsat.mk