LajmeMaqedoni

Gjykata e Apelit mbron vendimin për rastin “Target-Fortesa”

Gjykata e Apelit thotë se ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë për rastin Target-Fortesa për shkak se sipas tyre, aktgjykimi për rastin e përgjimit masiv ka qenë i paqartë, i pakuptueshëm dhe i papërputhshëm me shembullin e përgatitur me shkrim. Sqarimi i tyre vjen pas reagimeve të shumta në opinion për shkak të mundësisë potenciale që kjo lëndë të vjetërsohet dhe ish-shefi i policisë sekrete, Sasho Mijalkov të shpëtojë pa vuajtur as edhe një ditë burg për këtë lëndë.

“Konkretisht, sipas detyrës zyrtare, këshilli i Gjykatës së Apelit në Shkup konstatoi se ekziston mospërputhje në mes aktgjykimit të shqiptuar dhe asaj që thuhet në kopjen e tij me shkrim, gjegjësisht në  aktgjykim nuk ka përshkrim të veprimeve të kundërligjshme për secilin nga të akuzuarit. Aktgjykimi me shkrim duhet patjetër t’i përgjigjet dënimit të shënuar në procesverbal dhe për këtë arsye shpallja e aktgjykimit duhet të jetë e qartë dhe precize, përkatësisht shënimi i publikuar duhet t’i përmbajë të gjitha elementet nga neni 408 nga Ligji për Procedurë Penale. Një shkelje e tillë thelbësore është e natyrës absolute dhe e bën gjykimin të paqartë, të pakuptueshëm dhe të papërshtatshëm për shqyrtim të mëtejshëm“, thonë nga Gjykata e Apelit.

Ky vendim është marrë nga Këshilli i Gjykatës së Apelit i përbërë prej pesë anëtarëve, edhe atë Jani Niça, Enver Bexheti, Gjoko Ristov, Tanja Mileva dhe Lidija Çaçeva. Kjo e fundit dy ditë pasi votoi për këtë u pensionua.

Kjo lëndë vjetërsohet në vitin 2025 ndërkaq vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit që e njëjta të kthehet në rigjykim, e ndihmon këtë proces. Darko Avramovski nga koalicioni për gjykim të drejtë tha se gjasat që kjo lëndë të vjetërsohet, janë shumë të mëdha.

“Me këtë vendim të Gjykatës së Apelit dhe kthimit të lëndës mund të presim që përsëri do të ketë një procedurë shumë të gjatë, sepse ka rrezik të vjetërsimit të lëndës, dhe gjasat janë shumë të mëdha që kjo të ndodhë”, tha Darko Avramovski.

Procesi gjyqësor për “Target-Fortresa” filloi në dhjetor të vitit 2017 ndërsa vendimi u dha në shkurt të vitit 2021. Këtë muaj apeli vendosi ta rrëzojë atë. Kjo do të thotë se nga seanca e parë gjyqësore, deri te vendimi i Apelit u deshën pesë vite. Që të mos vjetërsohet, e gjithë procedura e ngelur duhet të kryhet për më pak se 3 vjet, edhe atë në rast se Apeli nuk vendos sërish anulimin e aktgjykimit.

Ndryshe, me aktgjykimin e shkallës së parë, ish kreu u Policisë Sekrete Sasho Mijalkov ishte dënuar më 12 vjet burg.  Me katër vjet burg është dënuar ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulovska si dhe nga 15 vite burg për dy officerët e arratisur të kundërzbulimit, Nikola Boshkovski dhe Goran Grujovski./Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button