Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, është pritur në takim nga ministrja e Punëve të Jashtme të Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla.
Pas takimit, dyshja dolën në konferencë për media, ku Gërvalla u shpreh e nderuar me vizitën e homologut të saj, për të cilin tha se është ministri i jashtëm me frekuencën me të lartë të vizitave zyrtare në vendin tonë.
“Presim me padurim rezultatet, hapat e mëtejshëm në temat që diskutuam sot. Diskutuam për ekonominë, për bashkëpunimin në të gjitha fushat e ekonomisë, anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës, biseduam rreth iniciativave të ndryshme të koordinuara në kulturë, dhe për hapat praktikë të bashkëpunimit të ndërsjellë”, deklaroi Gërvalla.
Ajo po ashtu theksoi se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe se këtë vit ka aplikuar edhe për anëtarësim në KE, si dhe që shteti ynë është në rrugën e tij drejt NATO-s.
“Kosova nuk është rast i veçantë në zhvillimet gjeopolitike vetëm në raport me Serbinë, por të veçantë Kosovën e bën edhe fakti që ka popullin më pro evropian dhe më pro NATO në kontinentin tonë”.
Ministrja e Punëve të Jashtme me tjerash tha se Republika Helene dhe Republika e Kosovës në politikën e tyre të jashtme janë në një linjë dhe se roli i Greqisë është shumë i mirëseardhur dhe shumë i domosdoshëm në përpjekje për të ulur tensionet edhe me Serbinë me qëllim që pastaj të mund të pasojë normalizimi në vend të përshkallëzimit.