LajmeMaqedoni

Grubi: Përkrahja me 230 milionë denarë për Likovën, Studeniçanin e Zhelinën, vazhdimësi e realizimit të premtimeve

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e saj të rregullt të së martës, ka miratuar një sërë vendimesh. Mes tjerash Qeveria ka vendosur që të transferojë mjete të konsiderueshme financiare për komunat Likovë (Kumanovë), Studeniçan (Shkup) dhe Zhelinë (Tetovë), për realizimin e tri projekteve kapitale me vlerë prej 230 milion denarësh, shkruan Indeks.mk

Artan Grubi – zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive ka theksuar se mbështetja për projekte të tilla kapitale është në suaza të angazhimeve qeveritare, por edhe të platformës dhe programit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për jetë më cilësore.

“Vazhdojmë të materializojmë përkrahjen ndaj komunave për realizimin e projekteve lokale të jetës më cilësore”, ka deklaruar Grubi pas mbledhjes së Qeverisë.

Sipas vendimit të Qeverisë, Komunës së Likovës do t’i transferohen mjete financiare me vlerë prej 200 milionë denarëve nga Buxheti i vitit 2022 për përfundimin e tërësishëm të projektit të ujësjellësit në territorin e saj.
Mjete në vlerë prej 15 milionë denarësh janë ndarë për komunën e Studeniçanit për realizimin e projektit të ujësjellësit në Koliçan të Poshtëm.

“Qeveria financoi edhe fazën e parë të këtij projekti me 10 milionë denarë dhe me mjetet e miratuara shtesë tregojmë përkushtimin tonë për realizimin e këtij projekti që është nevojë thelbësore e banorëve të kësaj zone”, theksoi zëvendëskryeministri i parë Grubi.
Edhe për Komunën e Zhelinës Qeveria ka vendosur të ndajë 15 milionë denarë për ndërtimin e rrugës lokale në vendbanimin Llukovicë.(Indeks.mk)

Show More

Related Articles

Back to top button