LajmeRajon

Të bllokuar qe dy javë e pa u ndërruar me të tjerë, kjo është gjendja shëndetësore e policëve që kanë “ngecur” në veri

Veriu i Kosovës vazhdon të jetë i bllokuar edhe gati dy javë pas vendosjes së barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq.

Bllokimi i rrugëve ka pasuar me bllokimin e policëve që ishin dhe po vazhdojnë të jenë në Leposaviq dhe Jarinjë.

Sot është dita e Katërmbëdhjetë që kur zyrtarët policorë kanë mbetur të bllokuar, pa mundësi për t’u ndërruar me të tjerë.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, dhe se i kanë të gjitha kushtet.

Zeqiri theksoi se e vetmja pengesë apo e ‘keqe’ e tyre është orari i zgjatur.

“Gjendja shëndetësore e policëve atje, fatmirësisht është e mirë, edhe pse orari shumë i zgjatur. Për çdo ditë bisedoj 3-4 herë në ditë me të dy lokacionet ku aktualisht nuk ka mundur t’u bëhet ndërrimi qe 13 ditë. Përkundër zgjatjes së orarit, shëndeti i tyre është i mirë, dhe i kanë të gjitha, edhe ushqim të mjaftueshëm edhe veshmbathje. E vetmja pengesë apo e keqe është orari i zgjatur”, tha Zeqiri.

Ai ka konfirmuar se ditë më parë 9 policë të moshuar e të prekur nga sëmundje kronike u bartën me ndihmën e misionit paqeruajtës, KFOR, dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

Por, ajo çfarë po i mban zyrtarët policorë është morali dhe ajo për çfarë edhe kanë dhënë betimin kur janë bërë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Po i mban morali e vullneti i fortë se po e dinë për çka janë aty, për atë edhe për të cilën Policia e Kosovës e ka dhënë betimin që të mbrojë qytetarët e saj”, shtoi Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Kujtojmë se Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, paralajmëroi dje heqjen e barrikadave, nëse KFOR nuk vepron sa më shpejt.

Sveçla tha se po presin që KFOR-i të veprojë sa më shpejt, por shtoi se nëse kjo nuk ndodh, Kosova do t’i heqë vet.

“Ata [KFOR] kanë kërkuar një kohë që ata vetë të bëjnë largimin e barrikadave. Ne tani po presim që atë angazhimin e tyre ta realizojnë. Por pasi janë bërë 13 ditë dhe ne kemi policë të bllokuar në Jarinjë dhe Bërnjak, ditët që po numërohen, po u vije fundi. Besoj që KFOR-i dhe faktori ndërkombëtar po angazhohen që këtë ta bëjnë sa më shpejt. Por, për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet nga vetë ata që kanë vendosur barrikadat apo KFOR-i. Por, pritja e ka fundin e saj”, tha Sveçla.

Show More

Related Articles

Back to top button