“Ndërgjegjësimi i grave ndaj dhunës dhe roli i tyre në shoqëri”, ishte tema mbi të cilën u fol në tribunën e organizuar nga shoqata për fuqizimin e gruas dhe problemet sociale “Fem Support” nga Gostivari. Kjo tribunë ka ardhur përmes projektit “Identifikimi i problemeve psiko-sociale në familjet e territorit të k omunës së Gostivarit” ku si grup qëllimore është vendosur gjinia femërore. Kryetarja e Shoqatës, Përparime Zulfiqari bëri të ditur se ideja e këtij projekti është forcimi i rolit të gruas në shoqëri si dhe mbrojtja e personalitetit dhe dinjitetit të saj nga devijimet diskriminuese dhe bërja e saj viktimë e mentalitetit të vjetër.
“Ne si femra kohëve të fundit ballafaqohemi me shumë probleme, sfida duke nisur nga diskriminimi, dhuna në familje, mos-vlerësimi, etj. Këtu te ne, edhe pse jetojmë në një kohë më moderne mbizotëron mendimi se femra duhet thjeshtë të qendrojë në shtëpi e të pastroj e pregatis ushqimin, të kujdeset për fëmijët, familjen, thjeshtë duke u shëndërruar në një shtëpiake. Por, ne nuk i qendrojmë pas këtij mendimi pasi që femra pos që mund të jetë një shtëpiake, ajo ka ëndrrën dhe profesionin e saj që mund të punojë e t’ia dalë me shumë profesionalizëm”, deklaroi Përparime Zulfiqari, kryetare e shoqatës “Fem Support”.
Profesoresha Imërlije Saliu theksoi se femra nuk duhet parë si objekt, por si vlerë në shoqëri. Sipas saj, të dhënbat statistikore nga dhuna ndaj gruas, janë tejet shqetësuese në vendin tonë, sidomos ndaj gruas shqiqiptare.
“Nëse u referohemi të dhënave statistikore të Maqedonisë së Veriut, do shohim se kemi një dhunë të madhe ndaj gruas dhe fatkeqësisht ajo është më e shprehur te femrat shqiptare. Nëse e vizitojmë ueb faqen e Ministrisë së Punëve të Bredshme (MPB), shohim se nga raportimet gati 3000 gra në vit dhunohen, pra flitet për dhunë fizike. Ky numër këto pesë – shtatë vitet e fundit herë shkon më lartë e herë më poshtë, por diku 3.000 gra rezultojnë të dhunuara”, deklaroi profesoresha Imërlije Saliu.
Profesoresha Mirela Ibrahimi tha se një nga format më praktike për të parandaluar dhunën ndaj femrës, është edukimi që në fëmijëri i të dy gjinive duke u mësuar atyre se çka është dhuna psikologjike, sociale dhe fizike dhe pasojat që lejnë ato.
“Ka limite të caktuar ku ne nuk guxojmë që të lejojmë të preket dinjiteti, integriteti dhe keqpërdorimi ndaj nesh si anëtarë i familjes”, deklaroi profesoresha Mirela Ibrahimi.
Në kuadër të projektit “Identifikimi i Problemeve psiko-sociale në familjet e territorit të Komunës së Gostivarit”, shoqata “Fem Support” do të realizojë edhe dy tribuna mbi ndërgjegjësimin e grave në shoqëri si dhe hulumtime mbi dhunën e ushtruar ndaj tyre në territorin e Gostivarit. Anketat do të realizohen online dhe shtëpi në shtëpi, dhe në fund të projektit në fazën përfundimtare e cila do të realizohet nga fundi i nëntorit të këtij viti, do të shpaloshen rezultatet. Ndryshe, projekti i kësaj shoqate është i fituar nga Komuna e Gostivarit në shpalljen publike që ishte në shkurt të këtij viti për të ndihmuar shoqatat lokale.