LajmeRajon

KFOR-i konfirmon të shtënat në afërsi të patrullës së tij në Zubin Potok

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë për mediat në Kosovë se “ka dëgjuar dhe ka parë” të shtëna në afërsi të një patrulle të tij në Zubin Potok – njëra nga katër komunat e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dieles, ndërsa KFOR-i tha se nuk ka të lënduar e as dëme materiale.

Më herët, Policia e Kosovës (PK) ka demantuar raportimet e mediave serbe se ka qenë e përfshirë në shkëmbim zjarri në Zubin Potok.

“Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi. PK-ja nuk ka pasur shkëmbim zjarri ndaj askujt”, thuhet në njoftimin për media.

Mediat serbe kanë raportuar të dielën mbrëma se rreth orës 19:45 janë dëgjuar shkëmbime zjarri në Zubin Potok, dhe se të shtënat kanë ndodhur pasi Policia e Kosovës “ka dashur të heqë njërën nga barrikadat” në këtë komunë në veri të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, shkroi në Facebook se “lojërat e [presidentit serb Alesandar] Vuçiq dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë””.

“Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale. Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vet ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet”, shkroi ai.

Ai tha se barrikadat duhet të hiqen menjëherë dhe se “Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës”.

Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani tha se “mediat pro-regjimit të Serbisë janë në përpjekje për të nxitur konfrontim të armatosur në Kosovë, duke raportuar rrejshëm se përleshjet po ndodhin afër Zubin Potokut”.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka mohuar se serbët kanë qëlluar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zubin Potok.

“Informatat tona nga terreni thonë se nuk ka pasur asnjë sulm ndaj KFOR-it. “Serbët në veri i respektojnë pjesëtarët e KFOR-it, të cilët janë aty në përputhje me Rezolutën 1244”, tha ai për televizionin serb, Pink.

Ai tha se situata aktuale në Zubin Potok është “absolutisht e qetë” dhe se “njerëzit janë të vendosur të qëndrojnë në barrikada”.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq, tha mbrëmjen e 25 dhjetorit se është takuar me Vuçiqin, ku më pas është nisur për në Rashkë – komunë në jugperëndim të Serbisë.

Ai tha për televizionin Pink, se situata në Kosovë është e tillë që kërkon praninë e ushtrisë serbe përgjatë, siç tha ai, “vijës administrative”. Megjithatë, Mojsiloviq nuk komentoi se çfarë ka ndodhur në Zubin Potok, por tha se “detyrat që i janë dhënë ushtrisë serbe janë precize dhe të qarta”, dhe se si të tilla ato do të “zbatohen dhe realizohen plotësisht”, por pa treguar se për çfarë detyrash bëhet fjalë.

Grupe të qytetarëve serbë në veri ngritën barrikada qysh më 10 dhjetor, për të kundërshtuar arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga Policia e Kosovës.

Ai u arrestua nën dyshimet për sulm kundër anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.

Autoritetet në Kosovë thanë se kanë kapacitete për largimin e barrikadave të ngritura në veri, por se i kanë dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i largojë vetë ato.

KFOR nuk iu përgjigj interesimit të REL-it nëse planifikon ndonjë aksion në veri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha dje se pas Krishtlindjes do të takohet me komandantin e KFOR-it, për të sqaruar se si do veprohet me barrikadat në veri të Kosovës./ Radio Evropa e Lirë

Show More

Related Articles

Back to top button