Qeveria do të publikojë listën e të gjitha kompanive që shkaktuan kërcimin artificial të çmimeve pasi shërbimet inspektuese të përcaktojnë nëse rritja e çmimit është reale, përcjell TV21. Këtë e bëri të ditur sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi, i cili tha se mbetet i mendimit se është bërë rritje artificiale e çmimit të produkteve të caktuara.
“E kam thënë edhe javën e kaluar se ka një rritje marramendëse dhe artificiale të çmimeve. Ja dy shembuj se pse e thash këtë. Në vetëm dy ditë marzhi i fitimit për pastat nga një prodhues u rrit nga katër për qind, më 31 maj, në 72.5 për qind, d.m.th. qytetarët paguajnë një marzh fitimi 65 për qind më të lartë për pastat nga një prodhues”, tha mes tjerash Bytyqi.