Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) pritet të shpallë sot çmimin e energjisë elektrike që do të jetë i vlefshëm nga 1 janari 2023, transmeton Portralb.mk.
Deri më tani, kërkesa për çmim të ri të energjisë elektrike në tregun e rregulluar pas 1 janarit, në KRRE i kanë dorëzuar tri kompanitë energjetike SH.A. MEPSO për transmetimin e energjisë elektrike, “EVN Elektrodistrubucia” për distribuim dhe “EVN Home” për kryerjen e veprimtarisë furnizim univerzal me energji elektrike për konsumatorët e vegjël dhe amvisëritë.
“Nëse kërkesat e përshkruara pranohen, çmimi mesatar i furnizimit për konsumatorët e vegjël dhe amvisëritë do të rritet me 3.5 deri në 4 për qind. KRRE përcakton çmimet pa TVSH dhe rritja e TVSH-së nga 5 në 10 përqind do të ndikojë në koston përfundimtare prej 4.72 përqind”, tha kreu i KRRE-së, Marko Bislimoski të hënën në një konferencë për mediat.
Bislimoski tha se sipas asaj që i është dorëzuar Komisionit, MEPSO kërkon 29,75 për qind rritje të çmimit të transmisionit të energjisë elektrike, “EVN Elektrodistribucia” kërkon ulje për 2,8 për qind në shërbimin e shpërndarjes së energjisë elektrike, ndërsa furnizuesi universal “EVN Home” kërkon një rritje prej pesë për qind të çmimit për furnizimin me energji elektrike për konsumatorët e vegjël dhe amvisaëritë.
Kujtojmë se në gusht të këtij viti Qeveria e Maqedonisë solli rekomandime dhe detyrime për kursimin e energjisë elektrike. Ndër të tjera në këto rekomandime hynte edhe që Komunat dhe Qyteti i Shkupit të bëjnë orar, në atë mënyrë që në gjysmën e rrugëve dhe bulevardeve të fiket ndriçimi publik.
U rekomandua që NP Rrugët të fillojë menjëherë me reduktimin e ndriçimit të instaluar në rrugët shtetërore në sasinë minimale të sigurt të ndriçimit të rrugëve, shesheve dhe objekteve të tjera në vend që i përfshijnë rrugët shtetërore.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe drejtori i SH.A. ESM Vasko Kovaçevski më 16 gusht të këtij viti shpalosën rekomandimet dhe masat për kursimin e energjisë nga amvisëritë dhe kompanitë, si dhe detyrat për kursimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes që u miratuan në seancë qeveritare. Që atëherë nga Qeveria bënë me dije se këtë vit do të kalojmë një nga dimrat më të vështirë në aspektin energjetik.