Zgjedhjet e parakohshme parlamentare vetëm se do ta vononin procesin e negociatave për anëtarësim në BE, pa ndonjë dobi të prekshme si kundërvlerë për këtë vonesë, kështu vlerësojnë analistët politik duke komentuar kërkesën e liderit të opozitares VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe kushtëzimin që po ua bënë ndryshimeve kushtetuese me të njëjtën kërkesë lëvizja BESA dhe Bilall Kasami.
“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare vetëm se do ta vononin procesin e negociatave pa ndonjë dobi të prekshme si kundërvlerë për këtë vonesë. Kjo është kërkesë dhe pozicion partiak i VMRO-së, e cila do ta përkrahë këtë akt, vetëm në rast se vjen në pushtet, pra ajo udhëhiqet ekskluzivisht nga dëshira partiake për të qenë në pushtet, pa e parë si parësor interesin e shtetit për të ecur para në hapat integrues”, deklaroi analisti politik Besim Nebiu për Indeks.mk
Në anën tjetër, edhe analisti politik Urim Saliu vlerëson se zgjedhjet e parakohshme janë të panevojshme dhe se vendit i duhet që të gjithë potencialin ta orientojë drejt ballafaqimit me krizën energjetike dhe rrugëtimit evropian të vendit.
“Mickoski do ketë kohë ta realizojë qëllimin dhe ëndrrën e tij për pushtet kur të ketë zgjedhje të rregullta kuptohet nëse do i fitojë ato por sado që ai dhe politikanë tjerë mundohen me kërkesa dhe kushtëzime për politika ditore të shpërqendrojnë vëmendjen diku tjetër kjo do t’i izolojë ata politikisht. Mickoski mund ta dëshmojë tani nëse është për Maqedoninë evropiane duke kontribuar për ndryshimet kushtetuese kaq të rëndësishme për vendin dhe euro-integrimet se sa për qëllime pushteti. Vendi ka nevojë për zgjidhje dhe jo zgjedhje”, deklaroi Saliu për Indeks.mk
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në brifingun e sotëm me gazetarët tha se koha më e mirë për zgjedhje të parakohshme parlamentare do të ishte periudha nga 14-21 maj. Mickoski thotë se deri në fund të prillit do të përfundonin festat e mëdha fetare, siç janë Pashkët dhe Ramazani-Bajrami, ndërsa shprehet i bindur se do të ketë zgjedhje pasi sipas ti ka kaos brenda koalicionit qeverisës.
Ndryshe, tema e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare u aktualizua pasi që Lëvizja BESA publikisht deklaroi se kushtëzon futjen e bullgarëve në kushtetutë me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.(Indeks.mk)