LajmeRajon

Fillon shqyrtimi i mbi 300 mbetjeve mortore në morgun e Prishtinës

Në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë mbi 300 mbetje mortore që supozohet se datojnë nga Lufta e Parë Botërore e deri në luftën e fundit të vitit 1999 në Kosovë, të cilat nuk janë identifikuar ende se kujt i përkasin. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka themeluar grupin punës që nga viti 2021, i cili merret me inventarizimin e këtyre mbetjeve mortore.

Shumica e këtyre mbetjeve mortore janë të personave që nuk ndërlidhen me luftën e fundit në Kosovë, por që aktualisht janë në morgun e Prishtinës. Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, thotë se do të ftohet edhe pala serbe për trajtimin e këtyre mbetjeve, por se edhe mund të ketë raste të keq-identifikimeve menjëherë pas luftës.

“Në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe natyrisht kurdo që është në interes të përbashkët edhe të palës serbe, edhe ata do të ftohen për shqyrtimin e rasteve. Shqyrtimi i rasteve tashmë ka filluar”, tha Hoti.

Hoti nuk dha ndonjë afat të caktuar se kur do të përfundojë invetarizimi, por tha se do t’u ndihmojë në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur. E për sa i përket keq-identifikimeve, Hoti tha se ka disa lokacione që do t’i rishqyrtojnë.

”Kemi arritur që në keq-identifikimet disa i kemi trajtuar e disa janë në pritje të procesit të AND-ës në Hagë”, tha ai.

Sipas Hotit, vështirësi më e madhe në punën e tyre është stërzgjatja në proces, do të thotë koha që ka kaluar nga lufta e fundit dhe rrjedha e procesit. Ndërkaq,  problemi te identifikimi i mbetjeve mortore, qëndron te informatat edhe pas 23 vjetësh nga lufta e fundit në vend./rtk

Show More

Related Articles

Back to top button