LajmeRajon

Robelli: A ka bërë drejtësia e Maqedonisë për viktimat shqiptare të Golluboviqit në vitin 1992?

Në këtë fotografi shihet Srđan Golubovići, një kriminel serb duke goditur civilët e vrarë në Bijelinë të Bosnjës, më 1992. Srđan Golubovići kurrë s’ka dalë para drejtësisë. Punon si DJ (Di Xhej) nëpër Serbi. Argëton miletin me muzikë. Një kriminel lufte. Kjo është Serbia e vitit 2022.

Por me kaq nuk mbaron ky rrëfim.
Viktimat kanë emra. Ata quhen:
Ajša Šabanović
Abduraham Pajaziti
Hamijeta Pajaziti

Dy nga viktimat janë shqiptarë.

Siç kam dokumentuar në librin tim “Ratko Mladići dhe banaliteti i së keqes” ndër viktimat shqiptare në Bijelinë është edhe Hajrush Ziberi nga rrethina e Shkupit. Para se ta vrisnin, kriminelët i hodhën benzinë mbi kokë. Në Bijelinë forcat serbe vranë po ashtu vëllezërit Përparim e Vllaznim Rexhbeqaj, bukëpjekës nga Gjonaj i Prizrenit.

Këto ditë magazina e njohur amerikane “Rolling Stone” ka botuar një tekst të gjatë hulumtues ku dokumenton krimet e Srđan Golubovićit.
Për opinionin shqiptar mbesin disa pyetje:

1. Disa nga viktimat janë shqiptarë nga Maqedonia. A ka bërë diçka drejtësia e atjeshme për të ndjekur kriminelin Srđan Golubović?
2. Pse nuk ka bërë asgjë?

3. A kanë bërë diçka autoritetet e Kosovës për të denoncuar vrasësit e Përparim e Vllaznim Rexhbeqajt?

4. Gjysmën e qeverisë së Maqedonisë e kontrollojnë shqiptarët. Çka bëjnë këta njerëz?

5. Qeveria e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë (me pak kufizime) kontrollohet nga shumica shqiptare. Çka kanë bërë e çka bëjnë këta njerëz për dokumentimin dhe denoncimin e krimeve?

6. Madje drejtësia maqedonase, për dallim nga ajo kosovare, nuk ka asnjë pengesë që kriminelët serbë t’i ndjekë deri në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Edhe Shqipëria do të mund të bënte diçka. E vërteta e hidhur është kjo: si Shkupi si Tirana po bëjnë shumë: po ia shtrojnë qilimin e kuq Aleksandar Vuçiqit si asnjëherë më parë në historinë bashkëkohore. Të vrasësh shqiptarë duket se është biznes i pandëshkueshëm për kriminelët serbë si Srđan Golubovići.

*Shkrimi eshte publikuar ne profilin e facebook te publicistit & gazetarit Enver RROBELI

Show More

Related Articles

Back to top button