LajmeRajon

Drejtori i Doganës: Prania e produkteve serbe në tregun e Kosovës është ulur

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2022, vlera e importeve nga Serbia ka qenë 370 milionë euro.

Por sipas drejtorit të Doganës, Agron Llugaliu, prania e produkteve serbe në Kosovë ka shënuar rënie në krahasim me vitet 2017 ose 2018. Sipas tij kjo për faktin se vlera e importit përgjatë këtyre viteve, në përgjithësi është rritur.

“Sot po flasim për mbi 5 miliardë import, ndërsa në vitin 2018 kemi folur për 3 miliardë import. Përqindja se sa kanë zënë hapësirë në tregun e Kosovës produktet serbe në vitin 2018 me përqindjen sot është dyfish. Atëherë kanë qenë 12 për qind në vitin 2017-2018, ndërsa sot janë 5-6 për qind. Kur e bëjmë matjen ne nuk guxojmë të manipulojmë kur e paraqesim një të dhënë. Kjo është e vërteta e importit sa i përket, 370 milionë euro, përkundër 450 milionë euro që ka qenë në vitin 2017 para fillimit të masave”, ka thënë Llugaliu.

Ai ka folur edhe për shifrat e importit dhe eksportit gjatë vitit 2022. “Sa i përket importit gjatë këtij viti, kemi pasur 5.6 miliardë import të mallrave dhe 869 milionë eksport apo 22 për qind më shumë se viti paraprak që ka qenë 712 milionë. Ndërkaq, importi në vitin paraprak ka qenë 4.6 miliardë”, theksoi Llugaliu.

Llugaliu ka treguar se pse Kosova gjatë vitit 2022 ka importuar më shumë nga Turqia. “Turqia është dukshëm vendi nga ku importojmë më së shumti. Kjo ka ndikuar për shkak të rënies së numrit të automjeteve që vijnë kryesisht nga Gjermania. E dimë se kanë ndikuar çmimet në nivel global të automjeteve dhe oferta e kufizuara”, ka thënë Llugaliu. /KSP

Show More

Related Articles

Back to top button