Deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli sot deklaroi se partia e tij ka marrë ftesë për takimin e njerëzve të parë të partive shqiptare në vend me kryeministrin shqiptar Edi Rama, por tha se ata nuk do të marrin pjesë në të. Ai vlerësoi se ky takim është në dobi të BDI-së dhe se gjithmonë kur kjo parti ka probleme të brendshme mbahen takime të tilla në Tiranë.
“Kemi ftesë nga kryeministri i Shqipërisë për takimin e nesërm. Kryesia qendrore vendosi që ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Republikën e Shqipërisë dhe kryeministrin Rama, por si parti politike Lëvizja Besa nuk jemi gati të ulemi në të njëjtën tryezë me BDI-në. BDI-së në këtë moment i duhet një takim në Tiranë. Nuk shohim që dikush tjetër ka nevojë për një takim të tillë. BDI ka interes për një takim të tillë siç e ka keqpërdorur në vitin 2017 për qëllimet e veta. Sa herë që kanë problemet e tyre të brendshme me kundërshtarët e tyre të brendshëm, (BDI) kërkojnë ndihmë nga rajoni. Ne nuk shohim se duhet t’u vijmë në ndihmë tani”, tha Zendeli.
Ai potencoi se kur partitë politike të shqiptarëve kanë kërkuar të ulen në tryezë që të dakordohen disa çështje, lideri i BDI-së nuk ka qenë i gatshëm të ulen në tryezë dhe të dakordohen për disa çështje, lideri i BDI-së asnjëherë nuk ka qenë i gatshëm të flasë me ta, ndërsa edhe në disa media i ka ofenduar ata.
Lëvizja BESA, shtoi ai, ka politikat e veta autonome dhe vlerëson se duhet të bashkëpunojmë këtu brenda.
“Do të kemi takim me kryeministrin e Shqipërisë, por jo atëherë kur është në dobi dhe interes të BDI-së dhe të interesave të saj”, potencoi deputeti Zendeli.