LajmeMaqedoni

Chollet mbërriti në Qeveri, takohet me Kovaçevskin

Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet sot në mëngjes mbërriti në Shkup, ku u prit para pllajës së Qeverisë nga kryeministri Dimitar Kovaçevski.  Chollet dhe Kovaçevski do të bisedojnë për shumë çështje, në mesin e të cilave energjetika, ekonomia dhe lufta kundër korrupsionit.

Qëllimi i vizitës së Chollet në Ballkanin Perëndimor, siç paraprakisht bëri të ditur Departamenti i Shtetit, është që ta theksojë përkushtimin e përhershëm të SHBA-së për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor.

Vizita e tij në vend është në kuadër të turneut ballkanik, gjatë të cilit do t’i vizitojë edhe Kosovën dhe Serbinë.

Ambasadorja e SHBA-së në vend, Anxhela Aggeler të hënën tha se SHBA-ja ka plan që t’i riafirmojë prioritetet e përbashkëta siç është lufta kundër korrupsionit dhe se kjo do të mbetet prioritet për Uashingtonin dhe do të ngritë disa çështje gjatë vizitës së këshilltarit të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet .

Aggeler theksoi se ky do të jetë vit shumë intensiv, ndërsa siç tha, këshilltari Chollet me vizitën e tij do t’i konfirmojë angazhimet dhe mbështetjen e SHBA-së për Maqedoninë e Veriut.

Këshilltari i sekretarit shtetëror të SHBA-së, Entoni Blinken, nga Shkupi shkon për Prishtinë në takime me përfaqësues qeveritarë, liderë politikë dhe përfaqësues nga shoqëria civile. Në fokus të bisedimeve do të jenë përpjekjet e SHBA-së që të ndihmojë në avancimin e integrimit kosovar dhe euroatlantik, duke përfshirë edhe përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja që të arrihet marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të fokusuara në njohjen e ndërsjellë.

Më 12 janar, Chollet do të vazhdojë në Beograd, ku me udhëheqësin e Qeverisë serbe do të bisedojë për sigurinë energjetike, integrimin ekonomik rajonal dhe progresin drejt qëllimit të Serbisë për qasje në BE. Ai, gjithashtu, do të bisedojë për rolin e Serbisë në përforcimin e paqes rajonale dhe sigurisë dhe angazhimit të saj të vazhdueshëm në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Chollet duhej të udhëtonte në Shkup muajin e kaluar, por vizita e tij ishte shtyrë për shkak të testit pozitiv në Kovid.

“Më vjen keq që duhet të shtyj udhëtimin tim në Ballkan dhe në Bruksel për shkak të testit pozitiv për Kovid. Unë do të mbetem i angazhuar në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me rajonin e Ballkanit dhe mezi pres ta bëj udhëtimin në fillim të vitit të ardhshëm”, shkroi atëherë diplomati i lartë amerikan në profilin e tij zyrtar në Tuiter.

Show More

Related Articles

Back to top button