Kjo është koha e sfidave të mëdha të cilat kërkojnë vendime të guximshme dhe unitet. Iniciativa “Ballkani i Hapur” është angazhimi ynë për rajon stabil, qeverisje të paqes, për bashkëpunim dhe për zhvillim ekonomik – ky është angazhimi ynë për jetë më të mirë të popujve tanë. Iniciativa jonë autoktone për evropianizim të rajonit, porositi kryeministri Dimitar Kovaçevski në hapjen e Samitit “Ballkani i Hapur” që mbahet në Ohër.
Në kushte kur e gjithë Evropa po përballet me pasoja nga kriza luftarake, energjetike, ekonomike dhe shëndetësore, sipas Kovaçevskit, vendet e rajonit janë natyrshëm të lidhura njëra me tjetrën dhe kanë një qëllim të përbashkët – së bashku të shkojnë përpara. Lufta në Ukrainë, siç theksoi, është rrezik për rritjen e ndikimit të palëve të treta në rajon, ndërsa lënia e zbrazëtirës gjeostrategjike në pjesën tonë të Evropës, nuk është opsion.
“Qëllimi ynë politik është i qartë dhe i vetëm – Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Vendi i çdo shteti të rajonit është në Bashkimin Evropian. Shkojmë përmes asaj rruge. Së bashku po evropianizohemi. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë ngushtë të lidhura. Kur ka avancim në një vend, kjo është nxitje për avancim tek fqinjët tjerë. Është evropiane të ndihmohemi, e jo të bllokohemi. Kohën e çmuar duhet ta shfrytëzojmë në mënyrë më efikase. Lufta e cila po ndodh në Ukrainë, është rrezik për ndikim e madh të palëve të[ treta në rajon, Prandaj të gjithë duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të gatshëm. Lënia e zbrazëtirës gjeostrategjike në pjesën tonë të Evropës nuk është opsion. Ne jemi ata që duhet ta përmbushim atë zbrazëtirë dhe prandaj ekziston Ballkani i Hapur që është e jona, autoktone, iniciativë organike e krijuar nga institucionet tona, seriozisht e mbështetur edhe nga të gjithë popujt dhe etnitë të cilët jetojnë në shtetet tona”, porositi Kovaçevski, përcjellë Zhurnal.
Është shumë e rëndësishme, tha Kovaçevski, që Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të pranojnë maksimalisht me përgjegjësi se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor tani më është edhe çështje strategjike dhe e sigurisë.
“Integrimi do të thotë përkushtim i përbashkët për ndërtimin e një Evrope të fuqishme, stabile dhe të bashkuar, si një shtëpi e vlerave dhe forcave demokratike dhe civilizuese. Vizioni ynë për Ballkanin në shekullin 21 është vizion për rajon të avancuar të integruar në Evropë ku paqen, stabilitetin dhe zhvillimin tani më askush nuk i sjell në pikëpyetje. Ne veprojmë në mënyrë pragmatike dhe ekonomike dhe me këtë do të krijojmë kushte për investime të mëdha në rajonin tonë dhe kjo do të thotë punë dhe punë më mirë të paguar për të rinjtë tanë dhe qytetarët tanë. Kërkojmë që BE-ja ta mbështesë këtë përpjekje tonë dhe ta njohë si inspirim për zgjidhjen e problemeve personale”, thekson Kovaçevski.
Kryeministri shpreson se “Ballkani i Hapur” do të bëhet gjithnjë e më atraktiv dhe se ndaj saj do të përfshihen edhe shtetet tjera të rajonit. E përshëndeti praninë e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe të kryesuesit me Këshillin e ministrave të BeH-së, Zoran Tegeltija, ndërsa, siç tha, mbetet e hapur ftesa edhe për kryeministrin e Kosovës.
Në samitin në Ohër pritet të nënshkruhen marrëveshje për bashkëpunim dhe njohje reciproke të diplomave dhe notave shkencore të dhëna në institucionet e arsimit të lartë dhe institucione tjera të autorizuara, si dhe memorandume për mirëkuptim për bashkëpunim në fushat si turizmi, kultura dhe administrata tatimore në Ballkanin Perëndimor/Zhurnal.mk/