LajmeMaqedoni

Në Qytetin e Shkupit nuk do të ketë seancë të jashtëzakonshme për ndotjen e ajrit, Sllaveski thirrje shtetit të reagojë

Seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Qytetit të Shkupit, në të cilën duhej të diskutohej për rekomandimet kundër ndotjes së ajrit, iniciuar nga grupi i këshilltarëve të LSDM-së, nuk do të mbahet. Këtë e ka bërë të ditur sot kryetari i Këshillit, Trajko Sllaveski, i cili përmes një komunikate me shkrim të dërguar nga partia e tij amë VMRO-DPMNE ka bërë të ditur se nuk është mbledhur numri i mjaftueshëm i nënshkrimeve për mbajtjen e seancës, transmeton Portalb.mk.

Në mënyrë shtesë, Sllaveski thotë se sot nga kabineti i kryetares Danela Arsovska ka marrë përgjigje dhe mendim me shkrim në lidhje me rekomandimet e propozuara kundër ndotjes së ajrit, por, siç thekson, në përgjigjen e tij thuhet se Qyteti i Shkupit tashmë po merr disa masa afatmesme dhe afatgjata në luftën kundër ndotjes së ajrit.

“Si i pari mes të barabartëve në Këshill, u bëj thirrje partive që të përmbahen nga politika dhe populizmi për një temë kaq të ndjeshme që prek të gjithë kryeqytetasit. Apeloj për reagim adekuat të shtetit, ku do të ndërmerret aksion i koordinuar për një sërë masash për uljen e ndotjes së ajrit, e cila na prek të gjithëve njësoj”, tha kryetari i Këshillit, Sllaveski.

Ndërkohë, kryeministri Dimitar Kovaçevski sot në një konferencë për media nga vizita e tij në “Pekabesco” tha se çështja e ndotjes së ajrit nuk është çështje që mund të zgjidhet për 12 muaj. Sipas tij, arsyeja më e madhe e ndotjes së lartë në të gjitha qytetet e mëdha gjatë muajve të dimrit është ngrohja e banesave me lëndë djegëse të ngurta që ndotin edhe më shumë.

“Ajo që po bën shteti, duhet ta bëjnë edhe komunat, është transformimi energjetik i shtetit”, tha sot kryeministri.

Për dallim prej ditëve të kaluara, sot Shkupi u rendit në vendin e 53-të sipas listës së qyteteve më të ndotura në botë. Kjo do të thotë përmirësim i situatës për dallim prej disa ditëve, kur kryeqyteti me ditë ishte në top-dhjetëshen, ose në top-pesë qytetet më të ndotura. Mirëpo, kjo me shumë gjasa ka ardhur vetëm për shkak të reshjeve të shiut, i cili ka pastruar pak ajrin e Shkupit.

Ndotësi kryesor në Shkup janë ende grimcat PM 2.5, përqendrimi i të cilave, sipas matjes së “I-Q-Air” nga ora 15:00, është 2.9 herë më i lartë se vlera vjetore e udhëzimeve për cilësinë e ajrit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Show More

Related Articles

Back to top button