LajmeMaqedoni

Brenda pesë muajve, shpenzimet për një familje në Maqedoninë e Veriut janë rritur për 2.980 denarë

Shpenzimet minimale mujore të një familjeje katër anëtarëshe në muajin maj janë rritur për 2.980 denarë në krahasim me janarin, tregojnë përllogaritjet e bëra çdo muaj nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë për përgatitjen e shportës minimale sindikaliste.

Sipas të dhënave të publikuara, shporta sindikaliste në maj ishte 38.791 denarë dhe është rritur për 8,32 për qind në krahasim me janarin e këtij viti. Për një vit, gjegjësisht në krahasim me majin e vitit të kaluar rritja është për 4.635 denarë ose për 12,78 për qind.

Sipas analizës së LSM-së, rritje më të madhe ka te ushqimi dhe pijet.

“Nga muaji në muaj, kostoja e jetesës së një familjeje me katër anëtarë rritet ndjeshëm dhe pagat nuk ndjekin të njëjtën rritje. Të njëjtën gjë tregon edhe përllogaritja e shportës minimale sindikaliste që LSM llogarit çdo muaj. Prandaj LSM me të drejtë kërkon rritje të pagave të të gjithë punëtorëve, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, përkundër kundërshtimeve evidente të subjekteve të caktuara që janë kundër rritjes së pagave të punëtorëve”, thonë nga LSM.

Sindikata kërkon që kjo përllogaritje e shportës minimale sindikaliste, si dhe rritja e kostos së jetesës, të jetë arsye për të lidhur menjëherë Kontratën e Përgjithshme Kolektive për sektorin publik duke rritur pagat e punëtorëve në përputhje me rritjen e pagës minimale dhe mëditjet të rriten për së paku 2.806 denarë në shumën neto.

Show More

Related Articles

Back to top button