Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, e ka takuar ambasadoren e sapoemëruar të Republikës së Greqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sofia Filipidu të cilës i uroi suksese në kryerjen e detyrës së re, si dhe e falënderoi për mbështetjen nga Republika e Greqisë në proceset integruese evropiane të vendit tonë.
Siç kumtoi sot Ministria e Ekonomisë, Bekteshi dhe Filipidu biseduan për investimet e përbashkëta të dy vendeve në energjetikë dhe diversifikimin e burimeve të energjisë, të cilat janë të një rëndësie të madhe për Maqedoninë e Veriut, por edhe për të gjithë rajonin.
Temë e bisedës ishte edhe bashkëpunimi i deritanishëm ekonomiko-tregtar mes dy vendeve, i cili, potencojnë nga Ministria, ka shënuar rritje të vazhdueshme dhe ka arritur një nivel rekord në vitet e fundit, si dhe mundësia e thellimit të mëtejshëm të tij.
“Ministri theksoi faktin se gjithsej tregtia ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë në vitin 2021 shënoi rritje prej 51për qind, ndërsa nga janari deri në shtator të vitit të kaluar tregtia shënoi rritje prej 94.3 për qind, është dëshmi e forcimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shtetet.Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se ka shumë hapësirë për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e energjisë dhe investimeve në burimet e rinovueshme të energjisë”, kumtoi Ministria e Ekonomisë.