LajmeMaqedoni

LSDM dhe VMRO përplasen për politikat ekonomike

Rezultatet ekonomike përplasën pushtetin dhe opozitën. Sipas LSDM-së, qeveria e menaxhon shumë mirë krizën energjetike, arrin të tërheqë investime të huaja, gjen mënyrën për të rritur pagat dhe pensionet dhe për të përballuar inflacionin në kohë të tillë krize. Sipas partisë në pushtet, ky është rezultat i zbatimit të politikave të mira.

“Nëpërmjet politikave ekonomike dhe në vitin e krizës më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, arritëm të ruajmë stabilitetin ekonomik, të mbështesim krijimin e vendeve të reja të punës, por edhe të rrisim pagën minimale dhe pagat në shumë sektorë”, deklaroi Daniella Nikollova, LSDM .

Por opozita nuk është dakord me këtë. Sipas VMRO-së, politikat ekonomike të Qeverisë janë katastrofike. Si argument për pretendimin e tyre, opozitarët përmendin të dhënat se për 2 vite kemi 50% energji elektrike më të shtrenjtë për familjet dhe katër herë më të shtrenjtë për konsumatorët e vegjël. Gjithashtu VMRO akuzon se në vend në pesë vitet e fundit nuk ka politikë për të tërhequr investime të reja të huaja.

“Fatkeqësisht, faturën e këtyre ekspertëve të vetëquajtur që shkatërruan energjinë në fund do ta paguajnë qytetarët me dyfishin e çmimit të energjisë elektrike në tarifën e lirë duke filluar nga janari. LSD po bën kalimin e kapitalit të shtetit në duart e oligarkisë së vet, ashtu siç u bë kalimi i kapitalit shoqëror në vitet 90”, thonë nga VMRO DPMNE.

Dhe ndërsa pushteti dhe opozita përplasen se kush udhëheq politika më të mira, qytetarët  vazhdojnë të luftojnë me normën më të lartë të inflacionit në rajon. Problem shtesë është se shuma e pagës minimale është më e ulëta nga vendet përreth, ndërsa për kokë banori, qytetarët e vendit janë më të ngarkuarit me borxhe në krahasim me të gjitha vendet e Ballkanit. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button