LajmeMaqedoni

555-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriot – Skënderbeut

Në Lezhë, më 17 janar të vitit 1468 vdiq Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (63 vjeç), luftëtar, diplomat, burrë shteti, Heroi Kombëtar i shqiptarëve. Për Skënderbeun, vitet deri më 1468, kur vdiq, ishin rënduar me tensione, nga veprimtari e negociata jashtë, dhe beteja pa pushim brenda vendit.

Në vitin 1463, pas premtimeve nga Papati, Venediku dhe shtete të tjera në Itali dhe Evropën qendrore për organizimin e një kryqëzate kundër Perandorisë Osmane, veçanërisht, pasi fushata ishte shpallur zyrtarisht nga vetë Papa Pius II, Skënderbeu e shkeli traktatin e paqes me sulltan Mehmetin.

Papa papritur vdiq, dhe kryqëzata e premtuar nuk ndodhi, ndërsa trojet shqiptare iu nënshtruan një shkatërrimi sistematik. Por ishte vdekja e Skënderbeut që shqiptarët të braktisin të gjitha shpresat.

Gjergj Kastrioti i njohur si Skënderbeu ishte një feudal dhe udhëheqës ushtarak arbër që në fillesë luftoi për Perandorinë Osmane dhe më pas drejtoi një kryengritje kundër saj.

Një anëtar i familjes fisnike të Kastriotëve, ai u dërgua si peng në oborrin perandorak osman, ku u arsimua dhe hyri në shërbim të sulltanit për njëzet vitet e ardhshme. Ai u ngrit sipas gradave, duke kulmuar në emërimin si sanxhakbej i Sanxhakut të Dibrës në vitin 1440. Në vitin 1443, ai braktisi osmanët gjatë betejës së Nishit dhe u bë sundimtar i Krujës, Sfetigradit dhe Modriçit. Skënderbeu arriti të pushtonte Krujën duke përdorur një letër të falsifikuar të sulltanit dhe vari në heshtë zyrtarët e kapur osmanë që refuzuan të pagëzoheshin si të krishterë.

Në vitin 1444, i priu Lidhjes së Lezhës. Përkundër vlerës së tij ushtarake, ai nuk ishte në gjendje të bënte më shumë se sa të mbante zotërimet e tij brenda një treve shumë të vogël në Shqipërinë e veriut, ku ndodhën pothuajse të gjitha fitoret e tij kundër osmanëve. Skënderbeu zhvilloi luftë mbrojtëse dhe për 25 vjet, nga viti 1443 deri në vitin 1468, ushtria 10,000 vetash e tij luftoi e fitoi kundër forcave osmane, të cilat ishin vazhdimisht më të mëdha dhe më të furnizuara. Gjë për të cilën u admirua.

Heroi Kombëtar i Shqipërisë, i cili vulosi me veprat e tij rezistencën kundër turqve pushtues në shekullin e 15 dhe ishte një shembull për imitim për të gjithë heronjtë e mëvonshëm.

Gjergj Kastrioti, Heroi Kombëtar i Shqipërisë lindi në vitin 1405, në familjen mbretërore të Kastriotëve.

Gjergj Kastriot Skënderbeu vdiq në moshën 63-vjeçare dhe konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës

Vdekja e Skënderbeut nënkuptoi fundin e pavarësisë së Shqipërisë, që vetëm falë tij arriti të shfaqej si një shtet i bashkuar dhe i pavarur. Kruja që për shumë vite u quajt si Akropoli i Kristianizmit, rezistoi vetëm një rrethim tjetër pa Prijësin e saj.

Mbeti në histori si luftëtar, si gjeneral njeri me principe dhe me ideale. U njoh si komandant i të gjitha fiseve Shqiptare dhe arriti të ndalonte për 25 vite me rradhë përhapjen e hordhive turke në Ballkan pa humbur qoftë edhe një betejë.

Gjergj Kastriot Skënderbej mbetet figura legjendare e kombit shqiptar në shekuj, një legjendë, imazhi i vërtetë i një heroi, që gjithmonë ndodhej në vijën e parë të luftës, që kurrë nuk ngurroi të sakrifikonte jetën e tij për idealet e tij, për ato që ai besonte, për atdheun dhe bashkëluftëtarët e tij.

Show More

Related Articles

Back to top button