Të papunët kanë mundësi të përfundojnë arsimin e mesëm profesional përmes programit të fundit pilot “Shansi i dytë”, njoftojnë nga Agjencia e Punësimit.
“Programi realizohet në kuadër të projektit IPA “Aktivizimi i grupeve vulnerabël në tregun e punës”, financuar nga Bashkimi Evropian, i implementuar nga Agjencia për Punësim e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Përmes “Shansit të dytë”, 200 qytetarë nga vendi do të kenë mundësinë ta përfundojnë arsimin e tyre të mesëm profesional. Ky program do të zbatohet nga shkollat e mesme profesionale për profesionet mekanike, elektroteknikë, hotelieri dhe ndërtimtari”, thuhet në njoftimin e sotëm.
Në vazhdim është një fushatë që Agjencia po zhvillon për informimin e publikut, përmes takimeve të organizuara në të gjitha qarqet e vendit.
“Në bazë të të dhënave që disponojmë dhe me synimin për të ndihmuar të papunët me kualifikime më të ulëta dhe me nivel arsimor më të ulët, ky program pilot u konceptua dhe u hap si një mundësi për të papunët me arsim të mesëm profesional të pambaruar – viti i 3-të i arsimit profesional – arsimi trevjeçar, ose viti i katërt i arsimit teknik – arsimi katërvjeçar. Të interesuarit gjatë aplikimit, duhet të dorëzojnë origjinalin e dëftesave që i kanë. Të gjithë personat që do të përzgjidhen dhe do të marrin pjesë në programin “Shansi i dytë”, do të marrin diplomë për arsimin e mesëm profesional të kryer, të cilën nuk e kanë fituar derisa kanë qenë të përfshirë në procesin e rregullt arsimor”, sqaron në një deklaratë me shkrim Natasha Zdravkovska, koordinatore e projektit IPA “Aktivizimi i grupeve vulnerabël në tregun e punës”.
Në vazhdim është e hapur shpallja për regjistrim, derisa të plotësohet numri i parashikuar prej 200 pjesëmarrësish.