I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, të mërkurën është takuar me kryeministrin Albin Kurti në Davos të Zvicrës, ku kanë diskutuar për hapat e ardhshëm në dialog.
Lajçaku e ka përshkruar diskutimin me Kurtin si “të thelluar”.
“Fillova ditën time në Davos me një diskutim të thelluar me kryeministrin Albin Kurti. Folëm për hapat e ardhshëm në dialog për normalizimin e marrëdhënieve dhe çështjet aktuale”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Përveç Kurtit, Lajçaku u takua edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror.
Lajçaku pritet të takohet me Vuçiqin në Beograd më 20 janar. Ndërsa pritet që të vijë edhe në Prishtinë.
BE-ja, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë intensifikuar përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë përmes Planit evropian, i njohur edhe si plani franko-gjerman.
Kurti është takuar edhe me zëvendëspresidenten e Zvicrës, Viola Amherd dhe ministrin e Ekonomisë, Guy Parmelin, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës.
Sipas njoftimit, Kurti shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e Zvicrës dhënë për Kosovën dhe për ndihmën e vazhdueshme në programet e zhvillimit të ekonomisë dhe demokracisë.
“U theksua rëndësia e mërgatës sonë në Zvicër, që janë urë lidhëse mes dy shteteve tona dhe kontribuojnë në ekonominë e të dyja vendeve. U bisedua për mundësitë për më shumë bashkëpunim në ekonomi dhe mbrojtje. Me theks të veçantë u bisedua edhe për shkëmbim të përvojave në teknologji të informacionit dhe edukim”, thuhet në njoftim.
Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për reforma strukturore në ekonomi, politikë, sundim të ligjit dhe demokraci funksionale në përputhje me standardet evropiane.
© KOHA.