GostivarLajme

Taravari zbardh për Tv Globin kërkesat e ASH për Qeverinë

Takime jo formale me përfaqësues të BDI-së dhe LSDM-së ku është biseduar për pjesëmarrjen e ASH – së në qeveri ka patur, por grupe formale jo. Këtë për televizionin Globi e zbulon kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, i cili pret që të shtunën kur është paraparë të mbahet Kuvendi i kësaj partie, të merret vendimi përfundimtar nëse duhet t’i thuhet po ose jo ofertës, siç ai thotë, jo formale nga partitë të cilat aktualisht e përbëjnë shumicën qeverisëse. Para Kuvendit partiak, Taravari do të takohet edhe me ambasadoren e SHBA në RMV, Angela Price Aggeler.

“Aty do të raportoj për takimet që i kam patur me përfaqësuesit e shtetit dhe të opozitës në Kosovë, po edhe me përfaqësuesit në Shqipëri, konkretisht me kryeministrin Rama dhe me përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtarë që janë në Maqedoni. Nesër e kam edhe një takim me ambasadoren e SHBA-ve dhe e bashkëbisedojmë me aktivin politik të partisë dhe e sjellim vendimin së bashku”, deklaron Arben Taravari, kryetar i ASH-së.

Nëse në Kuvendin partiak shumica sjell vendim “pro” shkuarjes në Qeveri, atëherë do të ngrisim grupe punuese, thotë më tej Taravari. Nëse eventualisht arrihet marrëveshje politike, ASH kusht për të shkuar në qeveri ka luftimin e korrupsionit, ndryshimet kushtetuese dhe kuadrot adekuate. ASH nuk bëhet pjesë e ekzekutivit nëse nga qeveria aktuale nuk merr sinjal që ka gjasa të arrihen numrat e nevojshëm në Kuvend për të kaluar ndryshimet kushtetuese.

“Ne kemi dalur me një pako masash për luftë kundër korrupsionit dhe krimit i cili më është i metastazuar në të gjitha institucionet shtetërore dhe kjo do të jetë tema e parë që duhet ta bisedojmë në atë marrëveshje nëse e bëjmë. Interesi i qytetarëve është që institucionet të drejtohen prej personave që kanë kapacitet, ashtu siç jemi munduar t’i udhëheqim institucionet këto pesë vite nëpër komuna dhe minsitri atëherë kur ishim pjesë e Qeverisë. E treta, pikësynimi i qytetarit të Maqedonisë është që vendi të arrijë të bën ndryshimet kushtetuese dhe eventualisht të fillon negociatat. Nëse marrim informata nga partitë që janë në qeveri që s’ka gjasa absolute që të bëhet numri 80, atëherë nuk e shoh të arsyeshme që ASH duhet me patjetër të jetë në Qeveri”, deklaron Arben Taravari, kryetar i ASH-së.

Duke iu përgjigjur VMRO-DPMNE-së, Taravari tha se jo një por gjithë ambasadat e huaja dhe vendet mike kërkojnë të kalojnë ndryshimet kushtetuese.

“Porosi prej çdo ambasade në Maqedoni ka qenë që duhet patjetër që të mundoheni, të japim maksimumin që në 2023 të jetë vit i ndryshimeve kushtetuese. Nëse nuk e kupton këtë VMRO-DPMNE-ja, unë nuk di si t’ua sqarojë këtë. Po edhe shtetet fqinje Kosova dhe Shqipëria të cilat ia mendojnë të mirën Maqedonisë dhe insistojnë me çdo kusht Maqedonia paralelisht t’i fillone negociatat me BE-në, është që të bëjmë çmos si parti shqiptare që t’i përkrahim ndryshimet kushtetuese”, deklaron Arben Taravari, kryetar i ASH-së.

Taravari thotë se ASH edhe nëse mbetet në opozitë, ndryshimet kushtetuese do t’i mbështesë dhe se nuk bëhen pataricë e dikujt në Qeveri, pasi aktualisht, thotë ai, në Kuvend numrat janë 60 me 60. Nëse nuk arrihet shumica prej 80 votave në Kuvend, Taravari thotë se vendi patjetër duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme në maj ose qershor të këtij viti.

“Në qoftëse ASH mbetet në opozitë zërat për zgjedhje të parakohshme do jenë shumë më të mëdha, Qeveria do jetë shumë fragjile, me shumicë të brishtë, shumë jo e sigurt dhe kjo do krijojë kushte që të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, deklaron Arben Taravari, kryetar i ASH-së.

Megjithatë, ai është i mendimit se para zgjedhjeve duhet t’u jepet një shans ndryshimeve kushtetuese. Thotë se me shumicë stabile, më lehtë mund të binden disa deputetë ose e gjithë VMRO-DPMNE për të votuar ndryshimet kushtetuese. Nëse arrihet kjo marrëveshje dhe votohet në afatin e fundit në nëntor, ai thotë se menjëherë në dhjetor mund të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Show More

Related Articles

Back to top button