Ministria e Punëve të Brendshme njofton se gjatë ditës së djeshme (22.01.2023), ka kryer kontroll të intensifikuar aksionar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për sanksionimin e automjeteve që lëvizin me shpejtësi më të madhe se shpejtësia e lejuar, me ç’rast janë sanksionuar 414 drejtues automjetesh.
Siç njoftojnë nga MPB, prej tyre, 15 automjete kanë lëvizur me shpejtësi mbi 50 kilometra në orë më shumë se shpejtësia e lejuar dhe tre automjete me shpejtësi edhe më shumë se 70 kilometra në orë.
“260 automjete kanë tejkaluar shpejtësinë në vendbanim, ndërsa 154 jashtë vendbanimit. Aksionet e intensifikuara të kontrolleve vazhdojnë edhe në ditët në vijim. U bëjmë thirrje të gjithë përdoruesve të rrugëve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe së bashku të kontribuojmë për rrugë më të sigurta”, thonë nga MPB.