Pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore të Aleancës për Shqiptarët (ASH) e cila u mbajt gjatë fundjavës dhe paralajmërimeve se gjatë javës partia do të formojë komision i cili do të negocionte për hyrje eventuale në Qeveri, dje me qëndrime të tyre rreth mundësisë që ASH-ja të hyjë në Qeveri dolën partnerët më të vegjël të koalicionit qeveritar.
Nga Alternativa vlerësojnë se nuk ka nevojë që të negociohet me Aleancën për Shqiptarët, duke vlerësuar se roli i kësaj partie në Qeveri do të ishte “ta amortizonin përçarjen në BDI”. Nga Alternativa vlerësojnë edhe se është logjike që ai që është në telashe, të lëshojë disa nga dikasteret qeveritare të cilat i udhëheq.
“Është logjike që ai që ndodhet në vështirësi të jetë i gatshëm të kompensojë duke hequr një pjesë të resoreve që për momentin i udhëheqë. Dëshirojmë ta potencojmë këtë. Aleancës nuk i duhen funksione për të votuar ndryshimet kushtetuese, nëse janë të sinqertë në përkushtimin e tyre për BE-në. Njëherësh, nuk e pranojmë tezën se për arsye se Alternativa ka më pak deputetë të Aleancës, duhet të paguaj çmimin politik me lëshime kadrovike. Gjithsecili që harron që vetëm para 12 muajsh, Alternativa ishte faktor kyç për shpëtimin e Qeverisë dhe me atë mundësoi bisedimet me BE-në, gjegjësisht e minon dhe rrezikon potencialin e koalicionit të forcave proevropiane në Maqedoninë e Veriut. Nëse marrëveshja politike me Alternativën nuk respektohet deri në fund, pse dikush tjetër do të besonte se ia vlen të bashkohet me ata që nuk i përmbushin obligimet?“, potencuan dje nga Alternativa.
Qëndrim të ngjashëm ka edhe Lidhja Demokratike, prej ku mbrëmë deklaruan se do të mbështesin rikonstruim të Qeverisë vetëm nëse sigurohet përfaqësim adekuat dhe i drejtë i të gjitha bashkësive etnike, që është në përputhje me Amendamentin 6 të Kushtetutës.
Lideri i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov mbrëmë para takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski me liderët e partnerëve të koalicionit deklaroi se insistojnë në respektimin e Kushtetutës dhe se vetëm në atë rast do të mbështesin rikonstruim të Qeverisë. Trajanov vlerëson se BDI-ja duhet të lëshojë dy vende ministrore.
“Pra përfaqësim adekuat dhe i drejtë i të gjitha bashkësive etnike në qeveri dhe në institucionet e tjera. Unë i qëndroj këtij parimi. Dhe nëse kësisoj komponohet qeveria e re apo qeveria e rikonstruuar unë do ta mbështes. Në të kundërt, ne si parti nuk jemi gati të pranojmë shantazhe. Partia që ka probleme me grupin parlamentar duhet ta paguajë çmimin. Tani BDI-ja i ka gjashtë pozita ministrore. Nëse duan një partner të ri, atëherë duhet të heqin dorë nga dy vende. Kjo do të ishte mirë. Por në përgjithësi mendoj se përfaqësimi adekuat nënkupton diku midis pesë dhe gjashtë posteve ministrore. Meqë jemi të ndarë në këtë mënyrë, kështu është konceptuar në Kushtetutë për përfaqësim adekuat të bashkësive etnike, kështu duhet të zbatohet në praktikë”, deklaroi Trajanov.
Ai shtoi se nuk ka asgjë kundër Aleancës, por se angazhohet për respektimin e parimeve dhe të Kushtetutës.
“Nuk jam kundër. Unë jam që parimet të mbizotërojnë në shtet. Absolutisht mua nuk më pengon as Aleanca. Me siguri, edhe atje ka kuadro të mira, por duhet të respektohen parimet të cilat janë të vendosura në shtet. Në të kundërt, siç thashë, do të ketë pasoja. Precedenca mund të shkaktojë pasoja të reja në periudhën e mëtejme”, tha Trajanov.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje në Klubin e deputetëve kishte darkë pune me liderët e partnerëve të koalicionit. Deklarata pas takimit nuk kishte, por kryeministri Kovaçevski në Fejsbuk njoftoi se në darkën e punës kanë biseduar për aktivitetet që duhet të ndërmerren këtë vit.
“Në atmosferë të këndshme diskutuam për aktivitetet në vitin vijues 2023, për masat dhe politikat e Qeverisë për përballjen me krizën globale energjetike, zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin energjetik, për zbatimin e programit të qeverisë, reformat për rrugën evropiane dhe hapat për të siguruar të ardhmen evropiane të vendit”, ka shkruar Kovaçevski në Fejsbuk.
Më parë, në deklaratë për gazetarët të dhënë pas vizitës në fabrikën “Metro”, Kovaçevski tha se ka biseduar dhe se edhe sot do të bisedojë me disa nga partnerët e koalicionit, lidhur me tema që janë të rëndësishme për punën e Qeverisë, ndërkaq në interes të qytetarëve.
“Gjithashtu, kam biseduar edhe me partinë Alternativa, përkatësisht me kryetarin e saj, sepse kemi takime të rregullta, megjithatë nuk kemi biseduar për hollësi për hyrje të një partneri të ri në Qeveri, sepse hollësi të tilla nuk janë biseduar me partnerin e ri potencial. Atë gjithashtu ua konfirmoi edhe kryetari i Aleancës, se ne jemi parti politike, përfshirë edhe Aleancën për shqiptarët, që jemi për vazhdim të rrugë evropiane t[ë shtetit, megjithatë se lidhur me bisedime konkrete për hollësi programore dhe kadrovike, nuk kemi biseduar”, tha Kovaçevski, duke shtuar se nëse ka biseda të tilla, atëherë do të konsultohen dhe do të bisedojë me partnerët e koalicionit në Qeveri.