Gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2022-2023 dje filloi me prani fizike në shkollat e të gjitha komunave, i shtyrë për disa ditë pas vlerësimit të MASH dhe të Qeverisë se ashtu shkollat më mirë do të përgatiten për pjesën tjetër të vitit.
“Fillim i suksesshëm i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2022-2023. Vazhdon mësimi me prezencë fizike, dërgimi i teksteve shkollore të reja dhe realizimi i një sërë investimesh kapitale. Të gjithë nxënësve Ju uroj vazhdim të suksesshëm të procesit edukativo- arsimor. Shumë njohuri të reja, aftësi dhe tejkalim sa më të lehtë të sfidave në rrugën drejt përmirësimit dhe realizimit të potencialit personal. Mësimdhënësve ju dëshiroj mësimdhënie të suksesshme dhe mësimdhënie kreative si dhe angazhim mepërkushtim maksimal për ata të cilët duhet të udhëheqin shoqërinë në të ardhmen”, shkroi ministri Jeton Shaqiri në Fejsbuk.
Ai premton angazhim të plotë të MASH për përmirësim të të gjitha aspekteve të sistemit edukativ-arsimor dhe se qëllimi kryesor mbetet përmirësimi i kushteve për edukim.
“Si prioritete kyçe do të theksoj proceset për vazhdimin e investimeve vijuese dhe fillimin e një sërë investimesh të reja infrastrukturore në komunat ku vihen re nevojat më të mëdha për investime dhe në mbi 100 shkolla në të gjitha komunat do të përmirësohet infrastruktura e TI-së dhe do të ndërtohen rampa qasëse. Do të vazhdojë dorëzimi i teksteve të reja shkollore tashmë të miratuara dhe furnizimi i librave të rinj për arsimin fillor dhe të mesëm. Për stafin mësimdhënës, procesi i zhvillimit profesional do të vazhdojë, përmes zbatimit të vazhdueshëm të trajnimeve të parashikuara në planin për vitin 2023, për të përmirësuar njohuritë dhe aftësitë e tyre në fusha të ndryshme”, theksoi Shaqiri.