LajmeMaqedoni

Gostivari dhe Kërçova, humbësit më të mëdhenj të banorëve për dy dekada

Gostivari dhe Kërcova janë dy komunat që janë tretur në këto dy dekada. Largimet masive të popullsisë drejt komunave të tjera, por më së shumti jashtë vendit, i kanë renditur këto dy komuna të parat sa i takon reduktimit të numrit të popullsisë, në vlera absolute. Duke iu referuar harkut kohor mes dy regjistrimeve të popullsisë humbja për këto dy komuna është mbi 50 mijë banorë.

Në Atlasin e publikuar nga Enti Shtetëror i Statistikave ceken këto dy komuna lidhur me reduktimin në përgjithësi të numrit të popullsisë. Por sa i takon reduktimit të popullsisë shqiptare në përqindje, si Gostivari, ashtu edhe Kërçova radhiten të parat. Dallimi mes vitit 2002 dhe 2022 është 18 për qind më pak shqiptarë në komunën e Kërçovës (së bashku me Osllomenë dhe Zajazin), ndërsa 11 për qind shqiptarë më pak numërohen në komunën e Gostivarit. Për rrjedhojë këto dy komuna, kanë kaluar prej disa vitesh në shtim natyror negativ, së bashku me komuna të tjera më të rrezikuara, si Struga, Dibra… Luhatjet shqetësuese të natalitetit janë lidhur jo vetëm me uljen e numrit të foshnjave dhe lindjeve në përgjithësi, por edhe me fluksin e madh të emigrimit dhe kurorëzimeve jashtë vendit.

“Në vlera absolute, ulja më e madhe e popullsisë është në komunat Gostivar (-21.272) dhe Kërçovë (-17.065), ndërsa rritja më e madhe është në komunat Aerodrom (+5.726) dhe Kisella Vodë (+4.729). Në përqindje, rënia më e madhe e popullsisë është shënuar në komunat Qendër Zhupë (-42,9%) dhe në Mavrovë dhe Rostushë (-41,5%), ndërsa përqindja më e madhe e rritjes së popullsisë është në komunat Studeniçan (+27.4%) dhe Sopishtë (+18.7%)”, konstatohet në Atlasin statistikor.

Sipas regjistrimit të popullsisë 2021, reduktimi ka sjellë që shqiptarët të përbëjnë vetëm 55 për qind të popullsisë (nga 66 për qind banorë në 2002). Pak martesa e pak lindje dhe trendet negative të natalitetit për këtë komunë i kanë alarmuar që në 2016 ku shtimi natyror i popullsisë ishte vetëm 1 banor. Një komunë tjetër, Sopishte po ashtu renditet e dyta sa i takon përqindjes së zbrazjes nga shqiptarët, ose 9 për qind shqiptarë më pak. Ngjashëm është komuna e Bërvenicës ku shqiptarët janë reduktuar, me 7 për qind më pak sesa në vitin 2002 (nga 61për qind në 54 për qind). Ndërsa komuna si Struga, Bogovina, Vrapçishti, përbëhen po ashtu me 6 për qind shqiptarë më pak. Nëse në Strugë në vitin 2002 më shumë më shumë se 56 për qind e popullsisë ishte shqiptare, tani kjo përqindje mezi arrin në 50. Ulja e banorëve shqiptarë po e çon komunën e Dibrës të banueshme nga vetëm 54 për qind shqiptarë (nga afro 60 për qind në vitin 2002).

Në Vrapçisht mbi 83 për qind e popullsisë ishin shqiptarë, ndërsa tani vetëm 76 për qind e banorëve janë shqiptarë. Në Bogovinjë, komunë me një përqindje të lartë në vitin 2002 (mbi 95 për qind) pas dy dekadash në këtë komunë përqindja e shqiptarëve nuk arrin dot as 90 për qind. Komuna ku shqiptarët janë katër për qind më pak janë ato të Dibrës, Zhelinës e Jegunovcit. Komuna ku është rritur përqindja e banorëve shqiptarë janë Çashka (plus 16 për qind), Buteli (16 për qind), Çairi (10 për qind).

Nga ana tjetër pavarësisht se nuk janë në minus, komuna si Tetova kanë një shtim shumë të vogël të numrit të popullsisë, apo Studeniçani e Kumanova që ka përqindje të pandryshuar. Komunat me numrin më të madh të popullsisë janë Kumanova (me 98.104 banorë), Manastiri (me 85.164 )dhe Tetova (me 84.770 banorë), ndërsa komunat me më pak popullsi janë komunat e Zërnovcit (me 2.086 banorë), Lozovës (me 2.264 banorë) dhe e Vevçanit (me 2.395 banorë). /koha/

Show More

Related Articles

Back to top button