“Bashkë përkujtojmë dhe reflektojmë mbi një nga episodet më të errëta të historisë njerëzore, Holokaustin famëkeq, që tronditi ndërgjegjen mbarënjerëzore për nga makabriteti i krimit, destruktiviteti i ideologjisë dhe joracionaliteti i urrejtjes”, tha Artan Grubi – zëvëndëskryeministri i parë i Qeverisë në fjalën e tij në në hapjen e ekspozitës speciale kushtuar Grupit Ladosh të organizuar nga Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve me rastin e Ditës Ndërkombëtare të përkujtimit të Holokaustit.
“Ata që nuk kujtojnë të kaluarën, janë të destinuar ta përsërisin atë!, do të thoshte dikur George Santayana, një nga mendimtarët më të mëdhenj të shekullit të 20-të dhe këto fjalë të tij duhet të jenë udhërrëfyesi ynë jetësor. Nuk duhet të harrojmë në asnjë moment përgjegjësinë që kemi për të kujtuar të kaluarën, për të mësuar nga ajo dhe për t’i vetëdijësuar fëmijët tanë që të jenë paqedashës, të respektojnë vlerat kulturore të njëri – tjetrit, të mos lejojnë paragjykimet t’ua errësojnë horizontet e jetës. Le t’i mësojmë se fqinjët janë miq që ndajnë të njëjtat halle e probleme me ne, se bota ka nevojë për dhembshuri, solidaritet, bashkim në rrugën e idealeve që mos të ketë vuajtje e varfëri në asnjë vatër”, tha zëvendëskryeministri i parë Grubi.
Ai më tej në fjalën e tij potencoi se ajo që u ndodhi hebrenjve nuk duhet t’i ndodhë absolutisht askujt më!
“Partitë politike, media, shoqëria civile për çdo ditë duhet të kemi një mision të vetëm: PAQEN DHE PËRPARIMIN. E paqja e përparimi nuk arrihet me luftë, me urrejtje, me ide destruktive që mjegullojnë arsyen njerëzore, me protagonizëm interesash të ngushta. Le të jetë frymëzim veprimi i Grupit Ladosh, diplomatëve polakë të kohës që po i kujtojmë sot përmes kësaj ekspozite për t’u rreshtuar bashkë kundër çdo agresioni që dëmton gjenezën e pastër njerëzore të barazisë. Nga këtu bashkë le të përcjellim thirrjen që të ndalojë çdo luftë e agresion, mbi plagët e së kaluarës le të ndërtojmë të ardhmen e sigurt dhe përparimtare të fëmijëve tanë”, theksoi Grubi.