Ish kryeministri bullgar dhe kryetari aktual i partisë GERB, Bojko Borisov u bëri thirrje autoriteteve maqedonase që t’i nxjerrin para drejtësisë personat që kanë rrahur sekretarin e klubit kulturor bullgar të Ohrit “Mbreti Borisi III”, Hristijan Pendikov. Sipas tij, ngjarjet e këtila i minojnë përpjekjet e mëdhaja që ka bërë Bullgaria për të afruar Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.
“Tani ka vepër penale, të shtëna, rrahje, nofulla i është thyer, ky është lëndim mesatar i rëndë. Derisa nuk i gjejnë fajtorët dhe nuk i nxjerrin para drejtësisë, ne do të angazhohemi që kjo të ndodhë”, tha Borisov.
Ai tha se, në këtë rast sheh tentim për kthim të qëllimshëm të Maqedonisë së Veriut nën ndikimin rus dhe se ai skenar punohet në mënyrë shumë aktive.
“Nuk duhet të mashtroheni në asnjë rrethanë. Gjëja më e mirë për Bullgarinë është që Maqedonia e Veriut dhe Shqipërina të jenë në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha Bojko Borisov.
Ka një periudhë mbi dy vjeçare që marrëdhëniet midis Shkupit dhe Sofjes trazohen shpesh me provokime herë nga njëra palë e herë nga tjetra.
Ministri teknik i i Punëve të Jashtme i Bullgarisë Nikolaj Milkov njoftoi se Bullgaria do të ndërpresë të gjitha projektet e përbashkëta ndërshtetërore me Republikën e Maqedonisë së Veriut për shkak të rrahjes së Hristijan Pendikov. Ai theksoi se ndërprerja e projekteve të përbashkëta do të jetë pjesë e reagimit bullgar për rastin Pendikov.
Përveç reagimeve deklarative nga pala bullgare, kanë ardhur edhe veprime reale. Ambasadori bullgar, Angel Angelov do të qëndrojë jashtë Maqedonisë së Veriut derisa sa, siç tha, Sofja nuk sheh sinjale të ndryshimit.
Në deklaratë për mediat, ministri bullgar i Punëve të jashtme Milkov tha se “nëse Maqedonia e Veriut vazhdon të sillet ashtu është e mundur që Bullgaria të vendos veto”. Lidhur me këto të Bullgarisë, reagoi Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë e cila tha se aktivitetet e fundit të Sofjes zyrtare nuk janë në përputhje me praktikën e dakorduar për avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella; përkundrazi, ato paraqesin nënshtrim ndaj provokimeve të atyre që duan t’i prishin përpjekjet e dy Qeverive për zhvillim të qëndrueshëm dhe pozitiv të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Presidenti i vendit Stevo Pendarovski të hënën në një konferencë për media pas seancës së Këshillit të Sigurimit informoi se sipas të gjitha vlerësimeve dhe analizave të shërbimeve kompetente të sigurisë, përkujtimi i lindjes së Goce Dellçevit më 4 shkurt do të jetë një ngjarje me rrezik të lartë të sigurisë, sepse strukturat e organizuara në Bullgari, të cilat po bëjnë fushata antishtetërore ndaj Maqedonia e Veriut po mobilizon më shumë njerëz për të ardhur në Shkup
Qeveria pas seancës së fundit njoftoi se ka arritur në konkluzione lidhur me shënimin e ditëlindjes së Goce Dellçevit, 4 shkurt, dhe ka ngarkuar MPB-në që të marrë të gjitha masat për sigurimin e ngjarjes, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Sigurimit.
Megjithatë, në pjesën rreth propozimit të Pendarovskit që eurodeputeti dhe disa qytetarë të tjerë bullgarë të shpallen persona non grata, Qeveria nuk është deklaruar ende.