Shkruan: Abedin BILALLI
Kështu mund të nis një prezentues/e ediconin informativ dhe deri këtu asgjë nuk ka që s’shkon. Dhe, gjithçka pastaj nis nga paralajmërimet që kanë shënuar ditën kur dëgjon që për disa redaksi, lajm dite paska qenë Komandanti dhe Mickoski!
U përfshinë ata vetë, por cili ishte interesi që këtu të përfshish teleshikuesin ku thelbi i çdo qytetari sot është si ta mbijetojmë ditën, javën apo muajin nga kjo krizë?!
Formati ku dhe si zgjedhin politikanët të përcjellin mesazhin, e drejtë e tyre, por pse televizonet tona duan që kjo të ndikojë te publiku i tyre kur interesi mbetet vetëm te përcjellësi e jo edhe te marrësi i mesazhit?!
Media si televizioni sjellë përtej sipërfaqësores, gërmim për atë çka ndodh, ja qoftë edhe komandanti dhe lideri i opozitës maqedonase pse e nisën këtë lloj komunikimi nga i cili mund dhe prodhohet vetëm ndasi. Të paktën unë kështu e shoh dhe për meritën e 2001 dhe pozicionet që kanë pasur, shumica nga ne e ka jetuar atë periudhë dhe e ka opinionin personal.
Kjo është politikë sipërfaqësore dhe asnjë lidhje nuk bën me njerëzoren; pastaj atë duro – vepro që u tha se u bë virale po nga media, ndërkohë që në atë s’kishte as debat, por vetëm si një lloj hashtagu, e bënë ata që përmes liderit duan të marrin pak vëmendje. Çuditërisht medias iu duke diçka virale?!
Dikush pyeste: Deri kur do durojmë? – dhe kjo m’u duk njerëzore, por asnjë nga mediat nuk e mori “mundimin” të na sqarojë dilemën se kur përfundon durimi; dhe durimi për çka dhe për cilin/cilën/cilët?
E çuditshme si Komandanti sfidohet me Mickoskin dhe kjo më duket se ai përmes këtij të fundit godet më larg, vetëm se nuk merr vendimin ose të bëjë kompromise mbi atë që ai vetë e ka thënë: “e kanë goditur!”.
Punë e tij si do e bëjë bilancin; e të dytit të vazhdojë të kërkojë zgjedhje! Po pyetja këtu është: Cila nga këta ofron zgjidhje të krizës që ka goditur qytetarin?
Politika të mundëson të jesh edhe përtej politikës, përtej njerëzores s’ke ku shkon! Momenti më shumë se kurrë është reflektimi për bashkim drejtë rrugës së drejtë dhe pa alternativë e quajtur BASHKIMI EVROPIAN, të paktën deklarativisht e thënë edhe nga aktorët e politikës. Megjithatë, gjuha që kanë zgjedhur liderët politikë pa përjashtim, lë shumë për të dëshiruar dhe media kësaj i shton benzin zjarri, ndërsa faturën e gjithë kësaj e paguan qytetari. Pastaj, kjo gjuhë do vazhdojë t’i bëjë qytetarët të ikin nga vendi; dhe s’dua ta besoj, por zgjedhjet nga këtu duken më afër se kalimi i ndryshimeve kushtetuese.
Shpresë ka pasi nëse nuk e bën politika balancën, do e bëjnë ata që e kanë bërë gjithmonë për këtë vend: aleatët tanë ndërkombëtarë bashkë me qytetarin e ndershëm i cili tregohet shumë bujar me durimin!