LajmeMaqedoni

Zgjerimi i shumicës, Kovaçevski dhe Taravari takohen sot

Gjasat për anëtarësim të plotë në BE deri në vitin 2030 janë reale, sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, prandaj ai fton të gjithë të tregojnë pjekuri për të shfrytëzuar momentin që krijon ky vit, duke aluduar në ndryshimet kushtetuese. Ai këto komente i bëri nga konferenca “Vit i mundësive të reja” pas të cilës foli edhe për zgjerimin e mundshëm të shumicës, të cilin proces e quan front-proevropian.

Kryeministri do të takojë sot kreun e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, të cilën zyrtarisht do ta ftojë në qeveri.

“Do të bisedojmë gjithashtu edhe për bashkëpunim të mundshëm dhe do të bisedojmë edhe për zgjidhje ligjore dhe programore të cilat do të mund ta avancojnë edhe kapacitetin e shtetit, kapacitetin e Kuvendit dhe sigurisht miratimin e atyre vendimeve që nënkuptojnë vazhdimin e rrugës evropiane dhe realizimin e qëllimit tonë, që në vitin 2030 të jemi vend anëtar i BE-së”, tha Dimitar KOvaçevski, kryeministër.

Fillimit do të flitet për përcaktimet programore dhe më pas për ata kadrovike, thotë kreun e ASH-së Taravari. Ai foli për një pako kushtesh të cilat do t’i kërkojë nga kryeministri.

“Pakoja e masave të cilat i kemi propozuar do të jetë kërkesa kryesore, një prej pesë kërkesave kryesore që kemi. Nëse nuk janë të gatshëm atëherë unë mendoj së shpejti ne duhet t’i japim fund kësaj historie. Ose do të merremi vesh ose ne do të vazhdojmë në opozitë dhe do të veprojmë si kemi vepruar këto 7-8 vjet”, u shpreh Arben Taravari, kryetar i ASH-së.

Një nga pikat e pakos janë masat e publikuara javë më parë, si ligj për veting të gjykatësve dhe prokurorëve, ligj për themelimin e një zyrë për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë kriminale, veting për funksionarët, ligj për parandalimin e nepotizmit nga deputetët, ministrat dhe drejtorët, etj.

Përveç kësaj, Taravari  tha se është hapur edhe tema e kuadrove me të cilat ASH-ja eventualisht do të përfaqësohet në ekzekutiv por pa përmendur emra konkret.

E në opinion prej kohësh ka zëra se ASH-së i janë ofruar Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë. Ministri i Drejtësisë i zgjedhur nga LSDM-ja, nuk deshi të komentoj zëvendësimin e mundshëm të tij.

“Jemi dëshmitarë se ka disa lëvizje. Ata janë në fazë negocimi dhe marrëveshjesh por ajo që dua ta theksoj është se ne si Ministri e Drejtësisë deri në ditën e fundit të mandatit do t’i zbatojmë detyrimet ashtu siç e kemi menduar. Gjithsesi bëhet fjalë për një kontekst politik të cilin unë për momentin s’dua ta komentoj”, theksoi Nikolla Tupançevski, ministër i Drejtësisë.

Lidhja Demokratike nuk është dakord me shtimin e numrit të ministrave shqiptarë në qeveri kurse Alternativa nuk është dakord me lëshimin e pozitave që mban aktualisht. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button