Lidhur me kyçjen e mundëshme të Aleancës për Shqiptarët (ASH) në Qeveri, analisti politik Xhelal Neziri vlerëson se nuk ka dallime programore, por se problemi është vetëm tek ndarja e pushtetit.
“Ka shumë partnerë me oreks të madh, interesa partiake dhe individuale. Partitë e vogla politike e bëjnë qeverinë të duket si një kopsht fëmijësh, ku të gjithë luftojnë për hapësirë dhe vëmendje. Është e kuptueshme që me hyrjen e ASh-së, pesha e tyre nuk do të jetë e njëjtë, ndaj po bëjnë gjithçka që kjo të mos ndodhë. Mirëpo, në gjithë këtë zhurmë, fokusi nuk është në sfidat me të cilat do të përballemi këtë vit – nga ndryshimet kushtetuese e deri te realiteti gjeopolitik”, ka deklaruar analisti Xhelal Neziri për portalin “Lokalno”, përcjell PRESSonline.mk
Neziri nuk ka dyshim se hyrja e ASH-së në Qeveri do të rezultojë me një Kuvend më të qëndrueshëm dhe një situatë më të qetë politike.
“Vendi nuk ka nevojë për një krizë tjetër, e cila monitorohet pikërisht për shkak të matematikës që rrethon mazhorancën parlamentare. Ajo që i duhet vendit është një Parlament funksional, një dialog i shëndoshë dhe i hapur mes qeverisë dhe opozitës për të përcaktuar agjendën evropiane dhe më konkretisht për të zbatuar reformat”, thekson Neziri.
Vetëm me Aleancën, thotë ai, nuk do të arrijë 80 deputetët e nevojshëm për ndryshimet kushtetuese, por dilema nëse do të krijohet një shumicë e re që vendi të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare në një vit kur ato janë më pak të nevojshme, hiqet.