Bindja e popullatës dhe pacientëve duhet të ndryshohet sa i takon besueshmërisë ndaj spitalit të përgjithshëm “Ferid Murad” në Gostivar. Ky është qëllimi me të cilin ka ardhur drejtori i ri i këtij institucioni. Ylber Ademi për të arritur besueshmërinë, që në takimin e parë ka kërkuar nga motrat kryesore dhe kryshefat e reparteve, përkushtim maksimal në punë dhe në kujdesin ndaj pacientëve.
“Qëllimi im primar është të ndryshohet pak edhe raporti ndërmjet stafit mjekësor dhe pacientëve. Kemi kritika kohën e fundit nga disa pacientë, të cilët ankohen se gjoja nuk janë të kontrolluar, nuk janë të pranuar nga ana e mjekëve. Gjithmonë ekzistojnë ashtu kritika, disa janë me vend, disa janë pa baza, por ne themi gjithmonë se pacienti ka të drejtë. Në këtë aspekt, me ardhjen time, unë takimin e parë e bëra me motrat kryesore dhe pastaj me kryeshefat. Takimi ishte pa rend dite, pastër informativ ku thash se duke filluar nga unë e deri te mjeku me motrën që është në ambulantë, urgjencë, repart, do të duhet të ndryshohet pak qasja”, deklaron Ylber Ademi, drejtor.
Ademi thotë se nuk do të ndërrojë asnjë shef reparti apo motër kryesore, por do të ndërrojë qasjen e punës. Për të arritur këtë, ai është i vetëdijëshëm se duhen ndryshuar edhe kushtet e punës. Do të duhet disa muaj thotë ai për të menduar për investime, pasi aktualisht faturat e larta të energjisë eletrike janë të papërballueshme. Ka kërkuar ndihmë nga Fondi për Sigurim Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë për ta tejkaluar këtë situatë, pasi siç sqaron, për tre muajt e fundit për rrymë janë paguar mbi 150 mijë euro.
“Për muajn e dhjetë, njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë faturat për harxhim të energjisë eletrike mbi gjashtë milionë e treqind e tridhjetë mijë denarë. Nga ana tjetër funizuesit të cilët kanë qenë më herët edhe ata i kanë faturat gati tre milionë denarë. Kontratën e re tash që e bëmë edhe me kërkesë të Qeverisë, furnizuesi ynë do të jetë EMV-ja, prej ku presim të kemi disa çmime normale dhe më të ulta sesa furnizuesi i mëparshëm i cili i kishte çmimet shumë të larta”, deklaron Ylber Ademi, drejtor.
Me buxhetin që kemi, thotë Ademi, dhe me konsultim me të gjitha repartet do të ketë edhe investime. Investimin e parë e paralajmëron në vjeshtë i cili parasheh krijimin e dy reparteve të reja.
“Duhet të zgjerohemi, të bëjmë reparte të reja. E marr shembull repartin e Kirurgjisë ku kemi katër profile, kemi kirurg të përgjithshëm, kemi urolog, kemi ortoped, kemi traumatolog dhe me hapësirë jemi ngushtë. Prandaj, planifikoj më së paku të bëjë dy reparte me të cilët do të shkarkojë Repartin e Kirurgjisë. Nga ana tjetër e kam ndër mend të investohet edhe në aparatura të reja, të fillojmë me metoda bashkëkohore të punës”, deklaron Ylber Ademi, drejtor.
Për shkak të specializimeve, Ademi thotë se spitali i Gostivarit ka nevojë për punësime të reja të mjekëve të përgjithshëm. Nga Fondi dhe ministria ka marrë dritë jeshile dhe beson këtë vit të hapet konkurs i ri punësimi.
“Tetë deri në dhjetë mjekë na duhen gjithësesi, na duhen edhe motra ku edhe pse numri i tyre është i duhur, por kam plan që disa motra t’i dërgoj në edukim dhe përsosje. Çdo reparti i ka specifikat e veta dhe nuk mundet një motër e përgjithshme e cila pranohet në një repart dhe gjithmonë mbetet te pjesa bazike mbi detyrat dhe obligimet e veta, prandaj disa motra duhet të marrin trajnime shtesë për nevojat speciale që ka çdo repart”, deklaron Ylber Ademi, drejtor.
Ndryshe, për momentin Spitali i Gostivarit numëron rreth 520 persona të punësuar dhe paraqet një nga institucionet më të mëdhaja dhe më të rëndësishme të qytetit.