Sipas të dhënave të Ministrisë të Punëve të Brendshme (MPB), brenda 10 ditëve vetëm në territorin e Shkupit ka shqiptuar 64 gjoba për shoferët që kanë drejtuar veturën pa patentë shofer. Derisa numri më i madh i tyre janë shqiptuar ndaj të miturve. Statistikat e MPB-së, tregojnë se numri i shoferëve që vozisin pa leje po rritet nga viti në vit dhe kështu policia po kap gjithnjë e më shumë shkelës të tillë të ligjit. Nga MPB thonë se në vitin 2022, policia rrugore ka sanksionuar 24.972 shoferë që kanë marrë pjesë në komunikacion pa patentë shoferë.
“Derisa gjatë vitit 2021 ky numër ka qenë 24.053 shoferë. Numri më i madh i tyre janë kapur në rajonin e Shkupit, ku janë sanksionuar 5.297 vozitës pa patentë shofer. Përveç në Shkup, ky problem është shprehur edhe në Pollog, përkatësisht në zonën e SPB Tetovë”, thonë nga MPB.
Në fund të javës së kaluar në lagjen Butel të Shkupit, një 17 vjeçar pa patentë shofer goditi për vdekje një të moshuar. “Duke vozitur në rrugën ‘Bosnja e Hercegovina’, ka arritur në kryqëzimin me rrugën ‘Aleksandar Urdarevski’ dhe ‘Kemal Sejfula’, nuk e ka ndaluar shpejtësinë dhe për pasojë, pjesa e përparme e majtë e veturës ka goditur një këmbësor i cili po kalonte rrugën në një vendkalim të shënuar për këmbësorë. Nga përplasja këmbësori ka pësuar lëndime të rënda dhe ka ndërruar jetë në vend”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Prokurori Publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, deri te gjykatësi për fëmijë në Gjykatën Themelore Penale Shkup, ka dorëzuar kërkesë për fillimin e procedurës përgatitore ndaj të miturit për të cilin ekziston dyshimi se ka kryer veprën e përcaktuar me ligj si krim – Krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion sipas nenit 300 paragrafi 4 në lidhje me nenin 297 paragrafi 3 të Kodit Penal.
“17-vjeçari, pa patentë shoferi të vlefshëm, po drejtonte makinën Volkswagen Golf në pronësi të babait të tij mbrëmjen e 27 janarit, duke vepruar kështu, ai nuk i është përmbajtur rregulloreve dhe në këtë mënyrë ka rrezikuar trafikun publik, duke rrezikuar jetën e njerëzve”, thuhet nga Prokuroria Publike. Derisa disa muaj më parë një 16 vjeçar në Bulevardin Nikolla Karev, goditi një grua me veturën e tij derisa këmbësorja mbeti e vdekur në vendngjarje.
Kemi edhe shumë raste të tjera të ngjashme ku një vozitës pa patentë shoferë është ndeshur me ndonjë këmbësorë apo veturë tjetër. Por këto janë vetëm dy nga rastet e shumta që për fat të keq kanë përfunduar tragjikisht nga raste të shumta që shkaktohen çdo ditë nga shoferë të papërvojë, madje edhe fëmijë që lëvizin në mënyrë të pa përgjegjshëm dhe pa patentë shoferë.
Të rinjtë marrin guximin të drejtojnë veturën pa patentë shoferë si dhe shpesh këtë e bëjnë me lejen e prindërve. Pjesëmarrja e tyre në komunikacion, rrezikon vetën e tyre por edhe të pjesëmarrësve tjerë në komunikacion. Sipas Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, “shofer fillestar” llogaritet çdo drejtues mjeti brenda një periudhe dyvjeçare që nga data e marrjes së patentë shoferit, pavarësisht nëse patenta është marrë në Republikën e Maqedonisë së Veriut apo jashtë saj dhe pavarësisht nëse posedon patentë shofer për një kategori tjetër.
Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugorë, ka apeluar se para se të jetë tepër vonë, ndihmoni fëmijën tuaj të kalojë testin e shoferit, të marrë patentën e shoferit në kohë, të respektojë rregullat që vlejnë për një shofer fillestar dhe të jetë i përgjegjshëm. “Ndihmojeni atë të i kujdesshëm dhe të respektojë rregullat dhe rregulloret e trafikut. Lërini të kuptojë se asgjë nuk është më e rëndësishme se jeta. Bëjini të ditur se makina e familjes është e ndaluar derisa të krijohen parakushtet”, thonë nga KRSKRR. Në fund nga atje kanë shtuar se asnjë justifikim nuk vlen dhe nuk ka vend në trafik për “shofer” pa patentë shofer.
Ndryshe, për çdo kategori për shoferët fillestar për një periudhë dy vjeçare ka masa të veçanta që duhen të respektohen nga shoferët në të kundërtën do të shqiptohen dënime sipas Kodit Penal. /Kohamk/