Një aksident me vdekje ka ndodhur në Tiranë, ku viktimë është djali i Kudret Saliajt që u vra nga ish-vjehrri i tij gjatë kohës që ishte në proces divorci me të shoqen.
Ndërkohë që nëna e viktimës, Dhurata Saliaj ndodhet në burg pasi akuzohet se në bashkëpunim me babanë e saj vranë Kudret Saliajn. Të riun, Enjon Saliaj e ka përplasur makina mbrëmjen e të enjtes, rreth orës 11:30 në zonën e Freskut. Në një njoftim zyrtar, policia bën me dije se 20-vjeçari ka ndërruar jetë në spital, teksa po punohet për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 02.02.2023, rreth orës 23:30, te Fresku, automjeti me drejtues shtetasin A. F. është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin E. S., 20 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra, 20-vjeçari ka ndërruar jetë në spital. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Vrasja e babait
Kudret Saliaj u vra me 4 qershor 2021 nga ish-vjehrri i tij, pas sherreve të vazhdueshme për divorcin dhe kujdestarisë së fëmijëve. Ngjarja e rëndë ndodhi në një lokal pranë Gjykatës së Tiranës.
Kudret Saliaj kishte akuzuar vajzën e autorit, Dhuratën, për tradhti dhe dhunë fizike e psikologjike ndaj 3 fëmijëve të saj. Kjo e fundit ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e bëra nga burri i saj, mirëpo 32-vjeçarja u arrestua në muajin Tetor në 2020 dhe është hetuar në arrest shtëpie për dhunë fizike e psikologjike ndaj fëmijëve dhe kërcënime ndaj vjehrrës.
Mexhit Picari dhe vajza e tij Dhurata Saliaj kanë shkuar në lokalin ku ishte ulur viktima dhe e kanë vëzhguar për rreth 20 minuta. Në tavolinë me viktimën ishte avokati i çështjes, Adriatik Cama, i cili mbeti i plagosur dhe një psikologe. Autori dhe vajza e tij, kanë qenë në lokal në pritje të seancës gjyqësore.
Mbas krimit, kur Dhurata dhe i ati u larguan nga lokali ajo hodhi në kokë një kapuç të zi, dhe më pas, të dy babë e bijë u larguan veç e veç me taksi. Sipas të dhënave, rezulton se Mexhit Picari ka gënjyer në dëshminë e tij dhënë në polici. Sipas tij, ka qenë viktima Kudret Saliaj që e ka ofenduar dhe për këtë arsye autori e ka qëlluar atë. Një ditë para vrasjes, rezulton se viktima ka pasur një debat të ashpër me ish bashkëshorten e tij Dhuratën.
Fillimisht u raportua se në tavolinën e viktimës ka qenë edhe Enjoni, djali i ish-çiftit Saliaj, por nga këqyrja e kamerave të sigurisë nuk ka rezultuar kështu. Ai u pyet nga policia dhe ai deklaroi përpara grupit hetimor, se nuk ka qenë i pranishëm në vendngjarje. Madje ai ka shtuar se nëna e tij, Dhurata Saliaj ushtronte dhunë ndaj tij, motrës dhe vëllait të tij të vogël.
“Shkova afër gjykatës mbasi dola nga shkolla. Më telefonoi babai, më tha ‘Mos u afro se është edhe pala tjetër dhe kam frikë mos konfliktohen.’ Unë nuk kam pasur marrëdhënie të mira me nënën, e cila më ka dhunuar mua dhe dy të tjerët. As me gjyshin dhe dajën s’kam pasur marrëdhënie të mira. Ky i fundit më ka kërcënuar dhe e kam denoncuar”, dëshmoi djali i çiftit, Enjoni, dy vite më parë.