LajmeMaqedoni

Taravari: Sot ose nesër finalizohet marrëveshja për hyrjen e ASH-së në Qeveri

Grupet negociatore të LSDM-së dhe Aleancës për Shqiptarët kanë finalizuar pjesën dërmuese të marrëveshjen për kyçjen e partisë së Arben Taravarit në Qeveri. Bisedimet për zgjedhjet kadrovike që do ta përfaqësojnë ASH-në në ekzekutiv pritet të finalizohen më së voni deri nesër. Këtë e konfirmoi vetë Taravari kur u pyet nga televizoni Globi se deri ku kanë kanë mbëri negociatat, për çka ai tha se janë në përfundim të bisedimeve.

“Jemi nga përfundimi dhe mund të them se një pjesë dërmuese e marrëveshjes është arritur, besoj se sot ose nesër finalizohet definitivisht marrëveshja dhe atëherë do ta bëjmë publike, natyrisht edhe Qeveria edhe Aleanca për Shqiptarët”, deklaroi kreu i ASH-së, Arben Taravari.

Jozyrtarisht, negociatat zhvillohen kryesisht për Ministrinë e Drejtësisë dhe të Shëndetësisë. Eventualisht, nëse Alternativa lëshon pushtetin, ASH-ja kërkon plus Ekologjinë ose Ministrinë e Shoqërisë Informatike. Kurse nëse nuk arrijnë ta marrin Shëndetësinë, ASH-ja këmbëngul për Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Pozitat e zv/ministrave të cilët janë në tavolinë të negociatave varen nga ministritë që do të marrin, por bisedimet zhvillohen kryesisht për zv/ministrin e Mbrojtjes, të Punëve të Brendshme dhe Punës dhe Politikës Sociale. Në fokus po ashtu është kërkesa për të menaxhuar me Inspektoratin e Punës dhe Politikës Sociale dhe të Arsimit. ASH-ja kërkon të udhëheqë me dy nga këto institucione: Fondi Pensional, Fondi Shëndetësor ose Mepso si dhe zhvillon negociata për pozitën e zv/drejtorit në Drejtorinë e Doganave ose në Drejtorinë e të Ardhurave Publike. Megjithatë, Taravari sot nuk deshi të zbulojë se cilat dikastere dhe drejtori do t’i takojnë partisë së tij si pjesë e qeverisë.

“Mendoj se duhet të përfundojë komplet marrëveshja dhe atëherë të flasim. Mendoj se do ishte jo korrekte të themi diçka dhe nesë të ndryshohet, kështu që kur të përfundojë gjithçka, i nxjerrim para qytetarëve”, deklaroi kreu i ASH-së, Arben Taravari.

Pasi grupet të arrijnë marrëveshje, pritet takim Kovaçevski – Taravari, takimi i cili mund të ndodh edhe gjatë ditës së nesërme. Ndryshe, sot është dita e tretë e bisedimeve intensive mes grupeve negociatore të LSDM-së dhe Aleancës për Shqiptarët.

Show More

Related Articles

Back to top button