Ekipet të shpëtimit të Maqedonisë nga Ushtria dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe zjarrfikës dhe minatorë janë tashmë në rrugën e tyre për në Turqi dhe do të ndihmojnë në kërkimin nën rrënojat e tërmetit me magnitudë 7.8 që goditi rajonin e Turqisë dhe Sirisë, transmeton Portalb.mk.
Ndihma humanitare tashmë është paralajmëruar nga Qeveria, disa komuna dhe institucione, ndërsa qytetarët po mbledhin donacione në një pikë të sheshit në Shkup.
Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut dërgoi ekipin e kërkim-shpëtimit të përbërë nga 24 ushtarakë dhe dy qen, të cilët tashmë janë nisur për në Turqi.
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim po dërgon 40 persona – pjesëtarë të Forcave Republikane për Mbrojtje dhe Shpëtim, me pajisje komplete të specializuara dhe mjete materialo-teknike për kërkim-shpëtim nga rrënojat, gjashtë automjete për transportin e pajisjeve dhe njerëzve dhe dy automjete zjarrfikëse.
Në Gaziantep të Turqisë tashmë janë dërguar ekipe të ndihmës nga qyteti i Shkupit, si dhe nga disa vetqeverisje lokale, duke përfshirë zjarrfikës nga Manastiri, Tetova, Gostivari dhe Shtipi dhe minatorët nga Probishtip.
Nga Qyteti i Shkupit informojnë se një ekip i Brigadës Territoriale të Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit është dërguar në Gaziantep të Turqisë, ndërsa në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të qytetit është propozuar që të miratohen gjashtë milionë denarë ndihmë fillestare humanitare për Turqinë dhe Sirinë, të cilat u goditën nga një tërmet shkatërrues.
Komuna e Manastirit në seancën e sotme do të vendos edhe për ndihmën për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri, ndërsa seanca të tilla kanë paralajmëruar edhe komunat tjera, përfshirë Qendrën dhe Gjorçe Petrovin.
Komunat e Tetovës, Kumanovës, Kavadarit dhe Gazi Babës tashmë kanë marrë vendime për ndihmë financiare për zonat e prekura nga tërmeti në Turqi dhe Siri.
Ministria e Financave, nga ana tjetër, është e ngarkuar që t’i dorëzojë Qeverisë vendim për miratimin e mjeteve nga rezervat e Buxhetit për vitin 2023, në vlerë prej 6 milionë denarë, për t’i ndihmuar viktimat e tërmetit katastrofik. Obligime ka edhe ndaj institucioneve të tjera, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, në kuadër të kompetencave të tij, që urgjentisht të përgatisë dhe t’i dorëzojë Qeverisë vendimin për dhënien e ndihmës në formë të personelit mjekësor, pajisjeve mjekësore dhe barnave.
Qeveria njoftoi se vendi do të dërgojë ndihma edhe në Siri.
Kujtojmë se tërmeti prej 7.8 ballësh, që goditi dy vendet në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit, deri tani ka shkaktuar 9.427 viktima, 6.957 në Turqi dhe 2.470 në Siri. Epiqendra e tërmetit ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.