LajmeMaqedoni

Osmani – Aurescu: Anëtarësimi i RMV-së në BE, garancia më e mirë për kërcënimet e shtuara

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani realizoi një bisedë telefonike me homologun e tij nga Rumania, Ministrin e Punëve të Jashtme, Bogdan Aurescu.

Siç njoftojnë nga MPJ, në fokus të bisedës ishin marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi mes dy vendeve, procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe mbështetja rumune në këtë kontekst.

“Rumania në vazhdimësi i jep mbështetje të fuqishme rrumbullakimit të agjendës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, si një nga prioritetet kryesore të politikës së saj të jashtme”, tha Osmani gjatë bisedës, duke nënvizuar rëndësinë e përfundimit të këtij procesi sa më shpejtë të jetë e mundur, si garancia më e mirë për kërcënimet në rritje në kontinentin europian.

U theksua se agresioni rus i ka ndryshuar thellësisht rrethanat gjeopolitike dhe rrjedhimisht edhe nevojën për një koordinim thelbësor brenda mekanizmave të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për aktivitetet dhe prioritetet aktuale të Maqedonisë së Veriut si kryesuese me OSBE-në, SHBA-Kartën e Adriatikut, si dhe për kryesimin e ardhshëm të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, që fillon në korrik dhe ku bën pjesë edhe Rumania.

Ministrat i diskutuan edhe mënyrat për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik, i cili mbetet pas marrëdhënieve shumë të mira politike. Vitin e kaluar, Rumania ishte partneri i 13-të më i madh tregtar i Maqedonisë së Veriut.

Show More

Related Articles

Back to top button