LajmeMaqedoni

Ia morën ministritë, Alternativa do të flasë nesër

Edhe pse Alternativës iu morën dy ministritë kryesore, ajo e Shëndetësisë dhe Shoqërisë Informatike e Administratës, partia e Afrim Gashit e pret ditën e nesërme për t’u prononcuar. Alternativa prej ditësh nuk ka dhënë përgjigje të prerë nëse mbetet apo jo në Qeveri me

arsyetimin se pret finalizimin e marrëveshjes midis Kovaçevskit dhe Taravarit. Të pyetur nga Alsat nga Alternativa nuk dëshirojnë të komentojnë emrat e dorëzuar në Kuvend, por thonë se kryeministri e ka ditur se kjo parti do të mblidhet nesër për të marrë dhe kumtuar vendimin. Sipas Alternativës, Kovaçevski është ai që duhet të përgjigjet se përse e ka bërë hapin pa pritur vendimin e partisë së tyre.

“Kovaçevski e ka ditur se ne e kemi mbledhjen e Kuvendit të partisë nesër dhe nuk e dimë pse ai sot ka dorëzuar në Kuvend nismën për rikontruimin e Qeverisë. Për këtë do të duhet ta pyesni Kryeministrin. Ne do të flasim nesër pas mbledhjes së Kuvendit”, thanë nga Alternativa për Alsat.

Ndërkohë LSDM thotë se për Alternativën dera e bashkëpunimit mbetet e hapur

“Dërgojmë apel deri tek Alternativa se dera për bashkëpunim është e hapur edhe më tej. Këto kohë janë të rëndësishme për ardhmërinë evropiane dhe për reformat ekonomike dhe u bëjmë thirrje të ngrihen mbi interesat e ngushta partiake dhe të mendojnë edhe njëherë. Edhe pse Alternativa nuk u përgjigj në ofertën për mbështetjen e bashkëpunimit, partia është e mirëseardhur me kontributin e saj për koalicionin evropian”, u shpreh Darko Kaeski, LSDM.

Pas marrëveshjes midis Kovaçevskit dhe Travarit, Alternativa në Qeveri mbetet vetëm me një ministri, atë të Diasporës që drejtohet nga Xhemail Çupi dhe zv/ministrin e Kulturës. Nuk dihet akoma se cilat drejtori do t’i mbesin partisë së Gashit e cilat do ti jepen partisë së Taravarit. Alternativa e Afrim Gashit marrëveshjen për hyrjen në Qeveri e firmosi më 5 dhjetor të vitit 2021 me kryeministrin e atëhershëm Zoran Zaev. Marrëveshja përmbante nëntë pika, ndër të cilat ishte integrimi në BE, zbardhja e rasteve gjyqësore të cilat dyshohen si të montuara, si Monstra, Alfa, Lagjja e Trimave. Në agjendë ishte edhe lufta kundër korrupsionit dhe cilësia në Arsim. Hyrja e Alternativës në Qeveri erdhi menjëherë pas dështimit të VMRO-DPMNE-së për të krijuar shumicë të re së bashku me partinë e Gashit, Aleancën për Shqiptarët, Besën dhe Levicën e Apasievit./Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button