LajmeRajon

Kurti në diplomimin e 433 policëve të rinj: Mbrojtja dhe siguria e vendit – prioritet për Qeverinë

Kryeministri Albin Kurti, gjatë ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së 57-të të Policisë së Kosovës, ka thënë se për Qeverinë e Kosovës, mbrojtja dhe siguria e vendit, vendosja e rendit dhe ligjit janë prioritete.

Duke iu drejtuar 433 policë të rinj, që nga sot nisin të shëbejnë në PK, Kurti tha se ky çast është kulmi i punës së palodhur dhe rezultat i punës së përditshme.

“Jam dyfish i lumtur që jemi këtu në prag të festimit të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës tek po shtojmë dhe forcojmë radhët e Policisë së Kosovës. Sikur vendi ynë edhe Policia e Kosovës ka kaluar nëpër etapa të ndryshme. Të gjithë jemi të qartë se policia mbron jetën e qytetarëve dhe zbaton ligjshmërinë. Për Qeverinë tonë, mbrojtja dhe siguria e vendit, vendosja e rendit dhe ligjit janë prioritet”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti shtoi se gjatë vitit të kaluar janë realizuar 854 operacione policore kundër krimit dhe kontrabandës, janë arrestuar 3 mijë e 202 veta, prej tyre 301 zyrtarë publik, janë mbyll 16 rrugë ilegale në veri dhe sipas tij janë ngrirë mbi e mbi 14 milionë euro mbi dyshimin e shpëlarjes ë parave publike.

Kurti përmendi edhe shkatërrimin e 5 laboratorëve të drogës, siq tha me vlerë qindra milionë euro dhe atyre të kriptovalutave.

Kurse ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se puna e policëve të rinj do të vazhdoj ta bëjë Policinë ndër institucionet më të besuara në Kosovë.

“Ju keni zgjedhur t’i bashkoheni një profesioni kaq të lartë e fisnik. 433 vajza e djem po i bashkohen synimit për zbatimin e rendit dhe ligjit, luftimin e krimit e korrupsionit, për një polici të disiplinuar që nuk do të toleroj asnjë lloj krimi ndaj shoqërisë, institucioneve dhe sovranitetit të Republikës sonë”, tha Sveçla.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të PK-së, Fehmi Hoti, tha se Policia e Kosovës është e gatshme të përballet me të gjitha rreziqet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

Ai duke uruar pjesëtarët e ri të këtij institucioni, kërkoi nga ta që të shërbejnë më përkushtim e profesionalizëm për të gjithë qytetarët.

“Nga ju presim të udhëhiqeni nga parimet më të avancuara të trajtimit të barabartë me të gjithë qytetarët. Punën tuaj zbatone në ligj”, tha ai.

Show More

Related Articles

Back to top button