LajmeMaqedoni

Shumica e re parlamentare mbetet me 64 deputetë

Shumica e re parlamentare do të ketë numrat e njëjtë si ajo e formacionit LSDM, BDI dhe Alternativa. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se rikonstruimi i Qeverisë do të votohet nga të paktën 64 deputetë. Largimin e Lidhjes Demokratike e vlerësoi si lëvizje të pritshme duke shtuar se nga Pavle Trajanov pret konstruktivitet në çështjet që lidhen me integrimet.

“Vendimi i Lidhjes Demokratike nuk ndikon në fuqinë dhe stabilitetin e shumicës parlamentare. Më gëzon fakti se Lidhja Demokratike deklaroi se mbetet pjesë e rrugës Evropiane dhe do të mbështet vendime të kësaj rruge, gjë që nuk është vërtetuar deri sot pasi Trajanov dje nuk votoi Marrëveshjen me Frontex. Besoj se në të ardhmen do të ketë mundësi ta dëshmon përcaktimin e tij. Ju thash se shumica parlamentare është e fortë, stabile dhe rikonstruimi i Qeverisë do të votohet me mbi 64 vota”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Gjatë ditës dorëheqjen e tij e ka ofruar zyrtari i vetëm i Lidhjes Demokratike në ekzekutiv, zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Zoran Dimitrovski.

“Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike sot deponoi dorëheqjen e tij nga funksioni i zëvendësministrit të Pushtetit Lokal. Arsyet e dorëheqjes bazohen në vendimin e Kuvendit Qendror të LD-së ku u vendos të mos mbështetet rikonstruimi i Qeverisë”, njoftojnë nga Lidhja Demokratike.

Për momentin nuk ka indikacione për largime të tjera nga koalicioni me LSDM-në. Maja Moraçanin nga Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë ka deklaruar se për subjektin e saj nuk janë të rëndësishme pozitat, por përcaktimet. Me largimin e Trajanovit dhe ndarjet brenda BDI-së, shumica parlamentare për momentin numëron 66 deputetë, duke përfshirë 43 deputetë të LSDM-së, 13 të BDI-së, 8 të Aleancës për Shqiptarët, një të PDSH-së dhe një votë e deputetit të pavarur Skender Rexhepi, kuadri i të cilit mbeti në pozitën e zëvendësministrit të Kulturës edhe përkundër largimit të Alternativës nga pushtetit. Për formatin e ri të Qeverisë, nga BDI nuk do të votojnë Izet Mexhiti dhe Merita Koxhaxhiku edhe pse kjo e fundit nuk ka deklaruar zyrtarisht një gjë të tillë. Shumica pritet të mos gëzojë as mbështetjen e deputetit të pavarur Kastriot Rexhepi. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button