LajmeRajon

Osmani ia dorëzoi medaljen “Urdhri i Lirisë” veprimtarit të njohur, Xhim Xhema

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në një takim një delegacion shqiptaro-amerikan, i kryesuar nga veprimtari i njohur i diasporës shqiptare të Amerikës, Xhim Xhema, të cilit ia ka dorëzuar medaljen “Urdhri i Lirisë”, e dhënë me motivacion për kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Osmani ka theksuar se mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është urë e fortë lidhëse ndërmjet Republikës së Kosovës dhe popullit shqiptar në Ballkan me aleatin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani ka potencuar se Xhim Xhema është ikonë e mërgatës shqiptare në Amerikë, i cili për më shumë se tri dekada ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Presidentja Osmani shprehu respektin dhe mirënjohjen e popullit dhe të institucioneve të Republikës se Kosovës për rolin e pazëvendësueshëm të mërgatës shqiptaro-amerikane për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në këtë takim, presidentja Osmani foli edhe për të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet Republika e Kosovës dhe nevojën për bashkërendim dhe unitet ndërmjet institucioneve të Kosovës me mërgatën shqiptare në SHBA.

Ndërkaq veprimtari Xhim Xhema shprehu mirënjohjen e thellë për presidenten e Republikës se Kosovës dhe institucionet e Kosovës për mikpritjen dhe respektin. Ai tha se liria dhe pavarësia e Kosovës ka qenë beteja jetësore e tij dhe e të gjithë shqiptaro-amerikanëve.

Ai tha se dekorimi me medaljen “Urdhri i Lirisë” është respekt dhe mirënjohje jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj veprimtarëve shqiptaro-amerikanë, të cilët për vite dhe dekada kanë punuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për forcimin e marrëdhënieve strategjike në mes të Republikës se Kosovës me Shtetet e Bashkuara te Amerikës.

Show More

Related Articles

Back to top button