Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, informoi se po merren masa kundër sulmeve të hakerëve në vend.
“Është shumë e rëndësishme që të gjitha institucionet të marrin masa të hershme për mbrojtjen e të dhënave dhe sistemeve elektronike sepse më e lehtë është investimi në parandalim. Çdo gjë tjetër është shumë më e vështirë kur na ndodh neve. Kjo është diçka që paraqet një sfidë serioze. Përveç migrimit, terrorizmi është një nga sfidat kryesore dhe sulmet e hakerëve janë pjesë e atyre sulmeve”, tha Spasovski në një deklaratë për media.
Sipas tij, të gjithë krerët e institucioneve duhet të kenë prioritet bazë mbrojtjen e sistemeve elektronike dhe parandalimin e sulmeve të tilla.
“Është me rëndësi që të mbrohet infrastruktura kritike”, theksoi Spasovski.
Kjo vjen pasi u njoftua se sistemi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSH) është hakuar me softuer “ransomvare”, i cili ka krijuar probleme me pagesën e pushimit mjekësor dhe pushimit të lehonisë, si dhe është e paqartë se kur do të paguhen punëtorët shëndetësorë. Sipas informacioneve, hakerët kërkojnë shpërblim për të kthyer të dhënat e “rrëmbyera” nga sistemi i FSSH-së.