LajmeRajon

Hetim për listën e telefonave/ Tre milionë numra të shqiptarëve shiten në internet

Pas publikimit të lajmit nga Top Channel se një listë me 3 milionë numra telefoni të qytetarëve shqiptarë bashkë me vendin e punës po qarkullon në internet dhe reklamohet për shitje online, ka reaguar Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Përmes një njoftimi zyrtar, autoriteti mbikëqyrës për mbrojtjen e të dhënave sqaron se është vënë në lëvizje dhe do të ndërmarrë hetim administrativ për këtë çështje, për të cilën kërkon edhe bashkëpunimin e organeve të tjera për zbardhjen e plotë të saj.

“Zyra e Komisionerit do të ndërmarrë një hetim administrativ, si dhe do të kërkojë bashkëpunimin e çdo institucioni përgjegjës për qartësimin e rrethanave të çështjes. Opinioni publik duhet të tregoj kujdes të shtuar dhe të jetë i ndërgjegjësuar për të refuzuar përfshirjen në përdorimin/përhapjen e paligjshme të kësaj baze të dhënash nëpërmjet çdo mjeti e forme të komunikimit masiv”. 

Ekspertët e IT shpjegojnë se poseduesit e këtyre të dhënave i përdorin ato kryesisht për qëllime fitimi duke i shitur te individë apo biznese të ndryshme që cenojnë privatësinë e këtyre personave.

“Këto të dhëna janë krijuar nga drejtime të ndryshme, nga persona që kërkojnë të përfitojnë financiarisht. Shpeshherë kemi dëgjuar për databaza të platformave të ndryshme që mund të jenë vjedhur dhe përfundojnë lehtësisht në tregun e zi. Mund të jenë persona që punojnë në organizata apo nëpër kompani të ndryshme që për arsye financiare mund t’i shpërndajnë me persona të tretë”, tha Florenc Hidri, ekspert IT.

Nga ana e sigurisë sipas ekspertëve publikimi i tyre mund të sjellë dëme të mëdha, pasi mund të keqpërdoren në shumë drejtime.

“Përtej shqetësimeve që mund ta na vijnë nëse këto të dhëna bien në dorë të kompanive të cilat i përdorin për marketing, nëse ato do të bien në dorë të kriminelëve kibernetikë dëmet do jenë akoma më të konsiderueshme. Këta kriminelë përdorin metoda të ndryshme për të vjedhur të dhëna në telefon, për aksesimin e komunikimeve private, vjedhjen e të dhënave financiare apo deri në fshirjen e të dhënave. Kjo mund të shkojë deri në marrjen e të dhënave celulare”, tha Hidri.

Kjo nuk është lista e vetme me numra telefoni që qarkullon në rrjet. Skandali nisi me publikimin e listës së patronazhistëve pjesë e të cilës ishin edhe numrat e celularit të këtyre personave të përfshirë në listë, për të vijuar me bërjen publike të databazës së pagave së bashku me numrat e telefonit dhe targave të automjeteve që shkaktoi një konflikt social.

Ekspozimi i këtyre të dhënave sensitive dëshmon nevojën për forcimin e sigurisë kibernetike në një kohë kur ruajtja e të dhënave personale po kthehet në një sfidë të madhe./TCH/

Show More

Related Articles

Back to top button