Kryetari i Gjykatës Penale të Shkupit, Ivan Xholev, e ka refuzuar kërkesën për largim të gjykatësit Ilija Trpkov, i cili është udhëheqës i Këshillit Gjykues pesë-anëtarësh në procesin gjyqësor “Target-Fortesa”, të cilën në fillim të seancës së sotme gjyqësore e kërkoi Lupço Shvrgovski, avokat mbrojtës i të akuzuarit Toni Jakimovski, njofton Portalb.mk.
Gjykatësi Trpkov pas kësaj konstatoi se me refuzimin e kërkesës nuk ka pengesa që procesi gjyqësor të vazhdojë.
Në vendimin e kryetarit të Gjykatës shkurt ka reaguar Shvrgovski. Ai tha se është befasuar në mënyrë të pakëndshme pasi që paraprakisht tjetër gjykatës është larguar nga Këshilli Gjykues i cili ka vepruar në këtë lëndë pasi që ka qenë pjesë e procedurës paraprake në lëndë.
“Shumë vite jemi juristë dhe dimë të lexojmë ligje. Aq kam për të thënë”, tha Shvrgovski.
Pas këmbimit të replikave mes gjykatësit dhe Shvrgovskit, diskutimi kryesor vazhdoi me propozimin e Prokurorisë që Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski të gjykohen në mungesë për shkak të kursimit ekonomik të procedurës, që me vendim u pranua nga Këshilli Gjykues.
Megjithatë, edhe pas kësaj, gjykatësi sërish dha pauzë prej një orë e gjysmë pasi që avokati Shvrgovski ka pasur obligime zyrtare në Gjykatën e Apelit. Pas pauzë, siç paralajmëroi gjykatësi Trpkov, diskutimi kryesor do të vazhdojë sot pasdite me fjalët hyrëse.
Gjykimi për rastin “Target-Fortesa”, nisi nga fillimi pasi Gjykata e Apelit në Shkup më 16 dhjetor të vitit të kaluar njoftoi se e anulon aktgjykimin e shkallës së parë.
Vendimi i Apelit shkaktoi reagime të ashpra në opinion, ndaj dhe gjykata e shkallës së dytë në disa raste ka lëshuar deklarata me shkrim në lidhje me vendimin që ka marrë.
Lënda në procedurë të përsëritur do ta gjykojë gjyqtari Tërpkov, pasi Vladimir Tufegxhiq, i cili në procedurën paraprake e kishte marrë aktgjykimin për këtë rast, u largua nga Gjykata Penale.
Gjykata Themelore Penale Shkup më 26 shkurt të vitit 2021 për rastin “Target-Fortesa”, i cili ka të bëjë me përgjimin masiv dhe shkatërrimin e pajisjeve nga DSK-ja, ka shqiptuar dënim me burg prej 55 vjet dhe 10 vjet me kusht, gjegjësisht gjithsej 65 vjet për 11 persona.
Gjykata e ka dënuar ish-drejtorin e DSK-së, Sasho Mijalkov, me 12 vjet burg për veprën penale “bashkim kriminal”, “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “marrje e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”.
Procesi gjyqësor ka nisur më 22 dhjetor të vitit 2017 ndaj 11 personave. Gjatë procedurës janë mbajtur 53 seanca, në të cilat janë dëgjuar 123 dëshmitarë, janë paraqitur 887 prova materiale dhe pesë ekspertiza. Një pjesë e madhe e mbi 200 personave të dëmtuar u dëgjuan.