LajmeMaqedoni

Seancë gjyqësore për falsifikimin e licencës së autobusit të “Besa Trans”, me të cilin humbën jetën 45 persona

Në Gjykatën Penale të Shkupit sot do të mbahet seancë gjyqësore për rastin “Besa Trans”, në të cilin kompania si person juridik dhe menaxheri i saj, Bekim Haxhiu, akuzohen për falsifikim të licencës për kryerjen e transportit ndërkombëtar për autobusin me të cilin në nëntor të vitit 2021 gjatë një aksidenti në Bullgari humbën jetën 45 persona, njofton Portalb.mk.

Sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans” nga Rashçe, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin e kaluar nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit.

Paraprakisht, pronari i “Besa Trans” është deklaruar se nuk ndihet fajtor për falsifikimin e certifikatës së licencës për kryerjen e transportit ndërkombëtar.

Teza e mbrojtjes, nga ana tjetër, është se nuk ka falsifikim të dokumenteve në çështje – vepër për të cilën akuzohet drejtuesi dhe kompania. Në një prononcim për media, avokati Asmir Alispahiq tha se nuk është e vërtetë që është përdorur dokument i rremë, gjegjësisht pretendon se as nuk është bërë dokument i rremë dhe as nuk është ndryshuar licencë ekzistuese për t’u përdorur si e vërtetë. Siç pretendon mbrojtja, janë përdorur licencat origjinale. I pyetur se si autobusi ka udhëtuar vetëm me patentë, dhe pa certifikatë për mjetin konkret, ai ka thënë se organet hetuese duhet të mbajnë përgjegjësi se si e kanë lejuar doganierët.

Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ivica Stefanovski, përfaqësues i prokurorisë është prokurori publik Vladimir Miloshevski.

Aksidenti në fjalë, ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa shtatë mbijetuan.

Show More

Related Articles

Back to top button