Koha e fluturimit me avion nga Kosova drejt shteteve të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas, do të shkurtohet, në rast të hapjes së korridorit ajror me Shqipërinë.
Me shkurtimin e kohës – deri në 30 minuta për vajtje-ardhje – do të zvogëlohet edhe çmimi i biletave, thotë për Radion Evropa e Lirë Albion Idrizi, magjistër i aviacionit.
Aktualisht, thotë ai, çmimi mestar i një bilete njëdrejtimëshe nga Kosova për në të gjitha vendet e BE-së është 140 euro. Me shkurtimin e fluturimit, ky çmim mund të bjerë deri në 6 për qind, apo 8 euro, thotë Idrizi, ndërmarrës në fushën e udhëtimeve dhe turizmit në Kroaci dhe Kosovë.
Që nga paslufta, më 1999, fluturimet nga dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës realizohen vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, është arritur në vitin 2020.
Kjo marrëveshje ka paraparë hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad dhe Arbër, por nuk është zbatuar kurrë.
Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), i cili menaxhon hapësirën e ulët ajrore të vendit, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të disa procedurave teknike që është dashur të miratohen nga Shqipëria dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.
Bujar Ejupi, drejtor i përgjithshëm i AAC-së, thotë se KFOR-i e ka dhënë lejen për shfrytëzimin e pikave Kukad dhe Arbër, dhe se ato pritet të lëshohen në shfrytëzim “së shpejti”.
KFOR-i, i cili është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se “ka miratuar mundësinë e hapjes së korridoreve ajrore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”, por nuk jep shumë detaje.
“Pikat Kukad dhe Arbër janë në territorin shqiptar, kështu që institucionet e aviacionit të atij vendi janë autoritetet përgjegjëse për planifikimin dhe menaxhimin e asaj hapësire ajrore”, thuhet në deklaratën e KFOR-it.
REL-i pyeti Agjencinë Nacionale të Trafikut Ajror të Shqipërisë, Albcontrol, se cilat janë arsyet e mosplanifikimit të fluturimeve përmes Kukadit dhe Arbërit deri më tash dhe kur saktësisht pritet të lëshohen në shfrytëzim këto dy pika, por nuk mori përgjigje.
Me të njëjtat pyetje, REL-i iu drejtua edhe Organizatës Evropiane për Sigurinë e Navigacionit, Eurocontrol, e cila në përgjigje tha se “përgjegjësia për krijimin dhe shpalljen e pikave të navigacionit i takon shtetit përkatës, në këtë rast Shqipërisë dhe jo Eurocontrol-it”.
Ejupi, nga AAC-ja, pret që dy pikat koordinuese, Kukad dhe Arbër, të shenjëzohen shpejt në hartat e Eurocontrol-it, por nuk jep ndonjë datë të saktë.
Pas finalizimit të kësaj procedure, ai beson se të gjitha kompanitë ajrore që operojnë në tregun e Kosovës, do t’i shfrytëzojnë këto dy pika./REL