LajmeMaqedoni

Biznesmeni me dosje mbikëqyr Korridoret 8 dhe 10

Punimet në Korridorin 8 dhe 10-d i cili do të ndërtohet nga konzorciumi “Bechtel&Enka” do t’i mbikëqyrin kompanitë e Branisllav Dimitrieviqit, person nën hetime nga autoritet në Armeni dhe i arrestuar në 21 prill 2021 në Kroaci mbi bazën e flet arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Interpoli. Bëhet fjalë për dy kompani: “Evro Konsallting” themelues i të cilës është Dimitrieviq ndërsa drejtues nga qershori i vitit 2021 rezulton djali i tij Zoran Dimitrieviq dhe kompania “EPTISA” ku Dimitrieviq rezulton “team lider” i konzorciumit franko-spanjoll.

Televizioni Alsat ka arritur të sigurojë dy dokumente, që në fakt janë vendime të miratuara në seanca qeveritare. E para i referohet vendimit të Qeverisë që asnjë institucion shtetëror dhe komunë të mos angazhojë kompaninë spanjolle “EPTISA” në tenderë me vlerë mbi 1 milion euro për shkak të veprimeve të tyre të kundërligjshme, jo etike dhe të papërgjegjshme në mbikëqyrjen e punimeve në hekurudhën “Kumanovë-Belakovc”. Vendimi i referohet mbledhjes së 24 të Qeverisë, e mbajtur më 24 nëntor të vitit 2020. Në këtë informacion qëndron firma e Dragi Rashkovsit në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë.

10 javë më vonë, përkatësisht më 9 shkurt të vitit 2021 Ministria e Financave njoftohet se Qeveria ka marrë vendim për abrogimin e vendimit të miratuar më 24 nëntor të vitit 2020 dhe institucionet bashkërisht me komunat, tani e tutje mund t’i japin tenderë me vlerë mbi 1 milion euro kompanisë së të pandehurit nga autoritetet armene “EPTISA” Branisllav Dimitrieviq. Të dyja vendimet rezultojnë si pika 49 dhe 74 në procesverbalet e seancave të mbajtura të Qeverisë. Nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore u arsyetuan se “EPTISA” është zgjedhur duke u bazuar në vendimin e 9 shkurti të Qeverisë.

“Përzgjedhja ka kaluar në Bordin kontrollues, ndërsa në Komisionin Shtetëror për Ankesa u adresuan dy ankesa, por institucioni i hodhi poshtë. Procedurat për përzgjedhjen ishin në përputhje me të gjitha ligjet dhe aktet nënligjore për Prokurime Publike dhe gjithçka ishte transparente nga fillimi”, njoftojnë nga Ndërmarrja e Rrugëve Shtetërore.

Qeveria deri në këto momente nuk kishte një përgjigje mbi arsyet e abrogimit të vendimit nga data 24 nëntor 2020. Mbetet e paqartë se pse Qeveria ndryshoi mendim për kompaninë “EPTISA”, çfarë e bëri organin ekzekutiv të ndryshojë mendimin dhe vlerësimin për këtë kompani duke u ngritur më të drejtë dyshimet për kurdisje të Prokurimit Publik mbi përzgjedhjen e kompanive mbikëqyrëse të punimeve në korridoret jetike sipas Qeverisë, 8 dhe 10-d.

Arritëm të sigurojmë edhe një dokument i cili flet për figurën e Branisllav Dimitrieviqit. Në fakt, Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zagreb të Kroacisë më 23 prill të vitit 2021 njofton Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Jashtme në Shkup se më 21 prill të viti 2021 nga autoritetet kroate është arrestuar shtetasi maqedonas Branisllav Dimitrieviq dhe për momentin ndodhet në burgun e Osiekut.

“Jemi njoftuar se më datën 21.04.2021 në burg hetues në Osiek për shkak të ekstradimit në Armeni ndodhet Branisllav Dimitrieviq shtetas i Maqedonisë së Veriut. Vendimi i gjykatës është marrë mbi bazën e flet arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Interpoli në Armeni më 31.03.2021 bazuar në vendimin për arrestim, vendim i gjykatës në Armeni i marrë më 20.11.2019 mbi procedurën penale për “mashtrim” për mbikëqyrjen e punimeve në Korridorin -Veri-Jug gjatë periudhës 2009-2018 në Armeni”, thuhet në Letrën e Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Zagreb.

Rrjeti hulumtues BIRN ka zbuluar se Dimitrieviq ndiqet penalisht në Armeni për tri vepra penale. Përveç “mashtrimit” Dimitrieviq ndiqet penalisht edhe për “falsifikim të dokumentit të udhëtimit dhe posedim jo ligjor” si dhe “kalim ilegal të kufirit” sipas Kodit Penal të Armenisë. Dy të fundit i referohen evakuimit të Dimitrieviqit nga Armenia me aeroplan privat i ndihmuar nga shtetas maqedonas të cilët në fakt ishin diplomatë. Dimitrieviqit dyshohet t’i ishte mundësuar pasaportë diplomatike për evakuimin e tij pa një therë në këmbë.

“Ai akuzohet për krijimin e një grupi me shtetas maqedonas: Vlladimir Sarafov, Mile Milnkosi, Stevo Simski, Zoran Spirev, përfshi shtetasin bullgar FIlip Spirev dhe shtetasin ukrainas Volodimir Soljaruck”, thonë nga Prokuroria Publike në Armeni (për BIRN).

“Evro Konsallting” mësohet që në Maqedoni të Veriut të ketë përfituar mbi 270 tenderë nga institucionet shtetërore dhe komunat. Vlera e tyre arrin mbi 4.5 milion euro. Vitin e kaluar kjo kompani ka nënshkruar 11 marrëveshje me vlerë 650 mijë euro shumica prej tyre në Zonat Zhvillimore Teknike Industriale dhe ndërtimi i Qendrës Klinike në Shkup dhe në Shtip. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button