GostivarLajme

Në shtator Vrapçishti dhe Bogovina bëhen me Qendër kundër zjarreve

Në shtator të këtij viti duhet të fillojë me punë Qendra Territoriale Kundër Zjarreve për Komunën e Vrapçishtit dhe atë të Bogovinës. Kështu u tha gjatë inspektimit të punimeve në objektin ku do të funksionojë ky shërbim për herë të parë për dy komunat në fjalë nga ministri i Vetëqeversijes Lokale, Risto Penov, kryetarit të Vrapçishtit Isen Shabani dhe atij të Bogovinës Besnik Emshiu. Ministri Penov bëri të ditur se ky inevstim kapital me vlerë prej rreth një milionë euro vjen përmes një bashkëpunimi ndërkufitar mes Maqedonisë dhe Shqipërisë i mbështetur nga Bashkimi Evropian si pjesë e programit ndërkufitar IPA.

“Me këtë projekt Qeveria rrumbullakson fazën e parë të modernizimit të të gjitha qendrave rajonale kundër zjarrit në Maqedoninë e Veriut. Këtu vendosim sistem të tillë për herë të parë. Përvoja e shfrytëzimit të këtyre mjeteve është shumë e mirë dhe këtu në vendngjarje mund të shohim dhe ta lëvdojë edhe kompaninë dhe ekipin që punon mbi projektin dhe kryetarët me bashkëpunëtorët e tyre, për çka presim që të kemi projekt shumë të suksesshëm. Sipas vlerësimit punimet duhet të përfudojnë gjatë verës dhe në vjeshtë projekti të fillojë të funksionojë”, deklaroi Risto Penov, ministër i Vetëqeverisjes Lokale.

Kryetari i Vrapçishtit Isen Shabani, bëri të ditur se komuna që ai drejton është partner lider në këtë projekt dhe së bashku me atë të Bogovinës për herë të parë bëhen me njësi zjarrfikëse e cila do t’u shërbejë rreth 70.000 banorë.

“Siç përmendi edhe ministri, projekti është paraparë që nga data një deri me pesmbëdhejtë gusht me të gjitha fazat e punës dhe dokumentacionin e kopletuar ta dorëzojmë në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale. Projekti është ndërkufitar i përbërë nga tre komuna dhe një shoqatë jo qeveritare, pra është komuna e Bogovinës së bashku me Vrapçishtin për Qendrën e zjarrfikësve te ne, dhe në Shqipëri kemi Bashkinë e Cërrikut dhe shoqatën ‘Caritas” poashtu në Shqipëri. Projekti ndahet në disa pjesë financuese ku ne me komunën e Bogovinës financojmë 270.000 euro”, deklaroi Isen Shabani, kryetar i Komunës së Vrapçishtit.

Besnik Emshiu, kryetar i Komunës së Bogovinës theksoi se Qendra Territorial Kundër Zjarreve është kërkesë e kahmotshme e banorëve të kësaj ane, pasi deri më tani kanë pranuar shërbime nga zjarrfikësit e Gostivarit dhe Tetovës.

“Pas ndërtimit të këtij objekti të dy komunave na pret punë ende më e rëndë pasi duhet të themelohet ky institucion dhe të fitojmë bllok dotacione nga Ministria e Mbrojtjes. Vështirësia më e madhe vjen pastaj pasi ato punonjës që do të angazhohen duhet të marrin rroga, por ne do të mundohemi që në bazë të ligjeve të fitojmë bllok dotacionet nga Ministria e Mbrojtjesa”, deklaroi Besnik Emshiu, kryetar i Komunës së Bogovinës.

Muajin e ardhshëm Emshiu dhe Shabani thanë se do të hapin prokurim publik për blerjen e një automjeti për Qendrën në fjalë. Ndryshe, Komunat e Vrapçishtit, Bogovinës dhe Bashkia e Cërrikut të Shqipërisë firmosën realizimin e këtij projekti që në prill të vitit të kaluar. Qendra Territoriale Kundër Zjarreve mes Vrapçisht dhe Bogovinës me seli do të jetë në fshtin Gradec dhe do të ketë 9 të punësuar.

Show More

Related Articles

Back to top button